Celine Dion anulon shfaqjet për t’iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale

Celine Dion po anulon disa shfaqje në rezidencën e saj në Las Vegas për shkak se ajo mund t’i nënshtrohet një operacioni. Sipas deklaratës së ekipit të saj, ajo vuan nga një gjendje që ndikon në aftësinë e saj për të kënduar.

Dion, sipas deklaratës, ka probleme me tubin e Eustakit, një vështirësi në veshin e saj të mesëm që shkakton probleme me dëgjimin. Kjo gjendje “e bën jashtëzakonisht të vështirë për të kënduar”, vuri në dukje ekipi i saj.

Celine e ka trajtuar këtë problem për më shumë se një vit por ky trajtim nuk bëri më efekt dhe është parë e arsyeshme ndërhyrja kirurgjikale.

Dion ka shkruar edhe në faqen e saj në Facebook: “ Fati im s`ka qenë aq i mirë kohët e fundit. Kisha shumë dëshirë që t`i jepja shfaqjet e mia dhe ndodhi kjo… Nuk mund ta besoj këtë gjë. I kërkoj falje të gjithëve që kanë planifikuar për të udhëtuar në Las Vegas për të parë shfaqjen time. E di se sa zhgënjyese është kjo dhe ju kërkoj falje”.

Ajo do të anulojë shfaqjet e saj nga data 27 mars deri më 18 prill dhe do të kthehet në skenën e Las Vegas më 22 maj.