I dërguari amerikan në bisedimet për paqen në Afganistan, Zalmay Khalilzad, së bashku me një delegacion të nivelit të lartë, u takuan të dielën me udhëheqësit e Kabulit për të diskutuar bashkëpunimin dypalësh, ndërsa trupat amerikane dhe të koalicionit i japin fund tërheqjes nga ai vend deri më 11 shtator.
Diskutimet zhvillohen ndërsa kryengritësit talebanë kanë intensifikuar sulmet kundër forcave qeveritare, duke marrë nën kontroll nëntë qarqe afgane, gjashtë prej të cilave javën e kaluar. Intensifikimi i përpjeve të talebanëve vjen ndërsa ka një muaj që trupat amerikane filluan tërheqjen nga ai vend.
Qindra luftëtarë janë vrarë në përleshje nga të dy palët, ndërsa ka patur viktima edhe mes popullsisë civile.
Një zëdhënës i Presidentit afgan Ashraf Ghani tha të dielën se bisedimet me ekipin e zotit Khalilzad u përqendruan në tre sektorë, duke përfshirë këtu mbrojtjen, ekonominë dhe ndihmën humanitare.
Mohammad Amiri tha se i dërguari amerikan i tha Presidentit Ghani se Uashingtoni do të ofrojë për Kabulin 3.3 miliardë dollarë në vit gjatë dy viteve të ardhshme për të mbështetur forcat afgane të sigurisë që luftojnë me talibanët.
Zoti Amiri vuri në dukje se gjatë ditëve të ardhëshme do të diskutohet edhe për ndihmë më të madhe amerikane për Afganistanin me pajisje të ndryshme luftarake, përfshirë avionët, me synim forcimin e Forcave Ajrore të Afganistanit.
Ambasada amerikane në Kabul ende nuk ka reaguar lidhur me bisedimet e ekipit të zotit Khalilzad me zyrtarë të qeverisë afgane. Prej kohësh Kabuli është mbështetur fuqishëm nga forcat ajrore amerikane në luftën me talebanët. Qeveria afgane ka hedhur poshtë shqetësimet se forcat e tyre mund të mos jenë në gjendje të marrin përsipër sigurinë në mungesë të mbështetjes së huaj ushtarake.
Zoti Khalilzad dhe delegacioni i tij gjithashtu zhvilluan një takim me zotin Abdullah Abdullah, i cili mbikëqyr procesin e paqes mes Kabulit dhe kryengritësve talibanë.
Të dy palët diskutuan procesin e paqes në Afganistan dhe “kapitullin e ri të bashkëpunimit” midis dy vendeve, shkroi në rrjetin Twitter zoti Abdullah, i cili kryeson Këshillin e Lartë për Pajtimin Kombëtar. “Ne përsëritëm angazhimin tonë për një paqe të qëndrueshme me talebanët përmes negociatave duke përdorur mundësinë në dispozicion,” shtoi më tej zoti Abdullah.
Një deklaratë amerikane e publikuar të shtunën para vizitës së zotit Khalilzad tha se delegacioni do të përfshinte përfaqësues nga Departamenti i Mbrojtjes, Këshilli i Sigurisë Kombëtare dhe USAID.