SAGA PËR UÇK-në HISTORIKE

Nga Abdyl Kadolli

Monografia dhe dokumentari “Syri i Shqiponjës” i autorit Ilaz Kadolli është një dëshmi burimore për historinë tonë të re. Aty përjetohen ngjarjet dramatike të fundshekullit të kaluar, si Demonstratat historike ’81, nga doli Lëvizja Popullore e Kosovës, një organizëm politiko-ushtarak për çlirimin kombëtar. Aty shihen portretet morale të strategëve veteranë, mbledhjet historike, veprimtaria e thellë ilegale, burgjet e rënda dhe flijimet sublime.
gjitha këto janë vëzhguar me syrin e shqiponjës për dramën e re historike, organizimin e formacioneve ushtarake, odisenë e furnizimit me armatim dhe heroizmin në fushëbeteja.
Veprat binjake “Syri i Shqiponjës” janë vetëm një fragment i Luftës së madhe çlirimtare dhe një dëshmi e gjallë historike për luftën e drejtë të UÇK-së dhe rreshtimin historik me aleatët e natyrshëm. Ato dëshmojnë se pa organizimin politiko-ushtarak të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe pa mbështetjen e shtetit shqiptar, nuk do të kishte as UÇK historike, ndërsa pa Luftën e shenjtë çlirmtare nuk do të ndodhte as ndërhyrja ndërkombëtare dhe çlirimi i Kosovës martire.
Edhe pse një ushtri e re vullnetare, UÇK-ja ishte një universitet i madh kombëtar, që krijoi përvojën e denjë luftarake dhe lindi shumë dëshmorë, heronj dhe strategë ushtarakë.
Në këto vepra ndriçohen shumë anë të panjohura të Luftës çlirimtare dhe kuptohet çmimi i shtrenjtë i lirisë. Pa dyshim, pjesa më tragjike e kësaj lufte ishte familja dhe femra shqiptare, ku u derdh gjithë urrejtja fashiste serbe mbi vitalitetin shqiptar.
Edhe Lufta jonë çlirimtare kishte dramën e vet, me fërkime e lajthitje të natyrshme, ku përthyheshin sfidat diversive për ngjyrimin ideologjik e fetar të UÇK-së, iluzionet dhe pykat politike.
Autori është aktor i dramës së re historike dhe dëshmitar për vlerat morale, etike e historike të UÇK-së, që përgënjeshtrojnë akuzat e intrigat e luftës speciale nga armiku dhe nga qyqarët tanë që nuk kanë bërë asgjë për lirinë e Kosovës. Të gjitha ato intriga kanë një emërues të përbashkët dhe vijnë nga laboratori UDB-esk. Ato shpifje do t’i marrë shpejt era dhe do të fundosen në llumin e kohës, sepse historinë e bëjnë vetëm veprat e saj monumentale.
Lufta jonë çlirimtare ishte e ligjshme përballë gjenocidit serb, një ndeshje e vendimtare me pushtuesin e egër dhe këtë luftë e fituam pas disa kryengritjeve të mëparshme. Në saje të kësaj lufte çlirimtare sot pozicioni ynë kombëtar ndodhet në zonën e natyrshme gjeostrategjike.
UÇK-ja është dinjiteti ynë kombëtar që realizoi me heroizëm pas mbi një shekulli testamentin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mu në qershorin e saj historik.

Lavdi UÇK-së historike!
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të kombit!
_______

*Fjalë në përurimin e monografisë dhe të filmit dokumentar “Syri i Shqiponjës” të autorit Ilaz Kadolli dhe regjisorit Petrit Ruka, Prizren, më 10 Qershor 2018.