Krijuesit e mirëfilltë, edhe kur shkruajnë, ata përpiqen që përveç ngjarjes dhe temës që shtjellojnë, mesazhin e tyre ta bëjnë sublimë të jetës dhe të veçantive të saja, të cilat shpeshherë sikur shndërrohen në obligim njerëzor dhe rrugëtim jetësor të vetë krijuesit. Për këtë arsye, temat që trajtohen në librin me tregime “Pesha e lotit” të autorit Tahir Bezhani, i cili deri me tash ka botuar njëzetë e tri libra të fushave të ndryshme, janë realitet i kohës dhe i kohërave, por edhe i paradokseve që gjithnjë dhembin e qortojnë për fatin e njeriut, i cili, shpesh është i pafuqishëm për t’u përballur me të gjitha valët dhe trakullimat e jetës.

Pra, libri “Pesha e lotit”, është një parametër i të gjitha atyre sfidave, ta cilat, në të njëjtën kohë edhe janë krenari por edhe përmallojnë. Po ashtu, janë edhe qasje të veçanta shpirtërore që i ngjajnë diagramit apo edhe hidhërimit të valëve të lumit, të cilat, herë rrëmbejnë pamëshirshëm, herë e “detyrojnë” njeriun të thotë: “Zot shpëtona, e herë valët i shndërron në qetësi shpirtërore, dhe uji bëhet sinonim i dashurisë për jetë të lumtur.

Kujtoj se kjo klimë dhe ndjenjë e përkushtimit të shpirtit, fuqishëm dhe me mesazh të rrallë përshkohet në të dymbëdhjetë tregimet në këtë libër, por, ndonjëherë, forma e të shkruarit lexuesin e detyron të mendojë lirshëm apo edhe ndryshe, mbase edhe të shtrojë pyetje, se pse jeta gjithnjë sikur gjëmon nga historia e rënduar e njeriut, e kombit dhe e atdheut.

“Rrugët e vdekjes” dhe harta e copëtuar e atdheut, si dhembje dhe si peshë krijuese

Ndoshta, pikërisht për këtë arsye, autori, librit i prinë me tregimin, “Rrugët e vdekjes”, ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta për liri të Kosovës dhe të të gjitha trojeve shqiptare, të cilat, nëpër periudha kohore dhe historike, herë u okupuan e herë u copëtuan, gjëra këto, të cilat edhe me shumë e forcuan kombin për të qëndruar gjithmonë vertikalisht dhe për ta ruajtur qenien dhe rrënjët e kombit. Kjo, sepse, edhe sot e kësaj dite, atdheu i ngjanë një harte të copëtuar, të rrudhur, të ngushtuar dhe të ndrydhur…!

Përmes këtij tregimi e përmes edhe të rrëfimit të një prej pjesëmarrësve të luftës, respektivisht, të Besnikut, autori vë në spikamë tërë atë dramën, që i ngjanë tragjedive më të rënda e të natyrave më të ndryshme, e që këto ngjarje shumëkush nuk dëshiron as t’i kujtojë, edhe pse njeriu është kureshtar që të mësojë e dijë për rrjedhat e jetës. Të gjitha këto atribute, tregimin e bëjnë të qëndrueshëm si shkrim letrar, por edhe si pjesë historie.

Ndërsa, peripecitë dhe kalvari i popullit gjatë luftës, janë ngjarje dhe pjesë e veçantë, janë dëshmi që dhembin, të cilat, “imponojnë” vetëdijesimin, por edhe nevojën për ta vlerësuar, çmuar dhe për ta respektuar më shumë historinë, si këtë të periudhës më të re, por edhe atë të kohërave të kaluara. Ja, një fragment që flet shumë për këtë: …Fika traktorin, mora kufomën në shpinë dhe shkova buzë liqenit, e gjeta një vend dhe po e groposi me lopatën, që për fat kishte qëlluar në rimorkio të traktorit. Nuk pata fuqi ta gropoj më thellë se pesëdhjetë centimetra

…E varrosa plakun e panjohur buzë një gardhi e dy pemëve. Ia hodha disa drunj që i gjeta aty afër, me qëllim që të mos e dëmtonin egërsirat trupin e tij…”!

Ja, pra. Kush do, apo edhe kush ka dëshirë e synim analizimin e ngjarjes, është kjo një pasqyrë e realitetit të kohës së luftës në Kosovë, e realitetit të kohës më të re të shekullit XXI-të, e që këtë katrahurë, ngjashëm e ka pësuar populli edhe në luftërat gjatë periudhave të kaluara shekullore dhe historike.

E gjithë kjo reflekton edhe “fenomenin” e vdekjes dhe të humbjes së gjurmëve, gjëra këto që lënë vragë e kujtesë të hidhur tek secili njeri, por, sjell edhe shpresën se dikur kanë për t’u gjetur eshtrat e të pagjeturve, ose, të atyre që i ka vrarë dhe masakruar armiku. Pra, sikurse pothuaj tek të gjithë krijuesit, edhe te autori i këtij libri, dhembja ishte dhe mbetet pjesë e hidhur dhe e padëshiruar. Dhembje që nuk peshohet…

Si shembull, autori nuk e lë zvarrë dhe pa e përfunduar rrëfimin për plakun të cilin e kishte varrosur: …Pas tre muajsh që u kthyem në shtëpitë tona, erdhi një persona te shtëpia dhe filloi të më pyesë për tërë rastin. Pasi i shtroi të gjitha pyetjet, konstatova se faktikisht, ioshte i afërti i atij plakut të varrosur, andaj edhe fillova t’ia tregoj ngjarjen fill e për pe…

Pas pa përfunduar bisedën, filloi të qajë dhe m’u hodh në gjoks duke më shtrëngua: ai është babai im i ndjerë me të cilin na ndau lufta…”!

Krahas luftës dhe tragjedive që sjell ajo, autori në këtë libër sjell edhe tema të tjera, që janë jo vetëm dukuri por edhe përditshmëri e jetës, mbase edhe dukuri e çoroditur dhe shpesh e përcjellë edhe me jonjerëzoren…!

Këtë ligatinë e hasim tek tregimi Darka për të varfrin”. Në këtë prozë-rrëfim, autori vë në spikamë së paku dy gjëra shumë të rëndësishme, të cilat korrespondojnë mirë njëra me tjetrën: varfëria dhe madhështia e njeriut, e që në këtë rast, ai, pra autori, di ta madhështojë dhe t’u ofrojë ndihmë atyre që kanë nevojë edhe për kafshatën e bukës. E tërë kjo, bukur shtrohet dhe çimentohet si moral përmes rrëfimit të personazhit, respektivisht, të Fisnikut, i cili, jo rrallë, një pjesë të ushqimit të darkës e ndante, dhe të nesërmen t’ia sjellë një nëne me dy fëmijë, e cila, çdo ditë luste Zotin për bukën e fëmijëve: …Nëna me dy carrokët e vegjël, si dy dritat e syve, e uroi gjatë njeriun e mëshirës së Zotit, Fisnikun, duke u shprehur me fjalët: “Të bekoftë Perëndia…”!

Ky rrëfim nuk i vë në spikamë vetëm ato dy veçoritë që i ceka më sipër, por reflekton edhe pakujdesin e shoqërisë për mirëqenien e njeriut, i cili gjithmonë shpreson për ditë e kohë më të mirë: “Kur nata shtriu pushtetin natyrshëm, nënë e lodhur rrugëve të qytetit, shtrinë trupin e dërmuar në ngrohtësinë e gjirit dy shpresat e jetës, dy fëmijët e saj, të cilët tani ishin tretur në ëndrrat e tyre të bukura, me shpresë për një ditë të re, për një jetë ndryshe dhe më të lumtur…”!

Rrëfimi për mësuesin, koha që përkujton kohën e Migjenit dhe pesha e lotit të nënës

Ndërsa, tek tregimi “Mësuesi X”, autori e shtron një temë sa të dhembshme aq edhe vjetër, një temë bizare dhe ndëshkuese edhe për realitetin e kohës por edhe për shoqërinë, temë kjo e cila sikur na përkujton kohën e Migjenit, por të “begatuar” edhe me një formë tjetër të mjerimit të shekullit që jetojmë. Andaj, jetën e mësuesit nuk e përshkruan dhe as nuk e përjetëson në shkrimin e vetë vetëm si problem social, por, përmes rrëfimit, lexuesit ia ofron edhe sakrificat e edukatorit-mësuesit nëpër periudha të rënda dhe trishtuese edhe nën okupim, duke përmendur edhe torturat nga okupatori, kurse, ai sot rrugëve të qytetit sorollatë shpirtin e trupin, duke ecur me shtagën kërrutë, e të cilin e rëndon edhe të pamurit, që mëzi pakëz ia kthjellojnë syzet me dioptri të madhe, me syze si bilur! Gjendja dhe vetmia e tij, pastaj, përkulja e tij për ta marrë një duq cigareje që e kishte hedhur dikush pasi që e kishte tymosur cigaren duke e lënë në gjysmë, thjeshtë, por zjarrmishëm, autori përshkruan jetën e një mësuesi i cili i ka begatuar me dituri gjenerata të shumta, e që as nuk hetohet e as nuk diktohet prezenca e tij në qytetin ku gjithandej kishte përhapur dituri!

Rrëfimi për këtë mësues kulmon edhe në momentin kur hyn në barnatore për të blerë ilaçe, por në kuletën e tij nuk kishte asnjë lek për t’i paguar barnat, edhe pse, në këtë rast, si ndërmjetëz, autori e fut humanitetin e njeriut tonë, respektivisht, të Melit dhe Xenit, që pa i diktuar mësuesi, e bëjnë pagesën e ilaçeve.

Ky përshkrim modest por fondamental, dashtë e pa dashtë, zgjon indinjatë për gjithçka për atë se shoqëria nuk është mpiksur me vetëdije dhe as nuk është sa duhet e ndërgjegjshme për t’u kujdesur për njeriun dhe njerëzit që e bëjnë jetën, edhe për ata që nxjerrin gjenerata e gjenerata për ta quar përpara kombin dhe atdheun. Në këtë aspekt, kujtoj se është dëshmi që prekë shumë rrafshe kjo kur autori në mes tjerash thekson: Hapat e mësuesit ishin të ngadalshëm. Në dorën e majtë mbante një shkop për ta ndihmuar ecjen e lodhur e të rënduar. Kishte të veshur një pallto të shkurtër, ngjyrë kafeje, mbante syze të trasha. Sigurisht për shkak të dioptrisë së çrregulluar! Fytyra e tij dukej mbi moshën  që kishte kaluar… dhe, duke ecur rrugicës mes pishave të parkut, Mësuesi X, u përkul deri në tokë… Zgjati gishtat dhe mori një duq duhani  të hedhur nga kalimtarët… nxori çakmakun dhe e ndezi atë duq duhani. E shikonte tymin e tij si rrugën e tij të shkapërderdhur. E thithi edhe dy herë duke thënë: “phiiii, m’i qeli sytë…”!

Pra, duke e analizuar këtë rrëfim por edhe tërë librin “Pesha e lotit”, autori sikur na detyron mendimin se domosdo nevojiten analiza të thella dhe gjithëpërfshirëse të kohës, të kohërave… Andaj, edhe kjo e shton vlerën dhe peshën e këtij libri të krijuesit, Tahir Bezhani.

Ndërsa, tek tregimi “Pesha e lotit të nënës…”, autori na servir një temë tjetërfare, por gjithnjë në të njëjtit binarë të jetës, e cila me decenie është aktuale dhe e preokupon njeriun tonë. Është ky fati i nënës nëpër të gjitha kohërat, nëpër të gjitha situatat, por, është edhe qëndresa e saj si lapidar i pathyer për të ngritur familje të shëndosh dhe të ndershme.

Në këtë temë e gërsheton edhe mërgimin si plagën më të rëndë dhe më të vjetër të kombit, e cila padyshim se shpesh ka shkaktuar drama e tragjedi, të cilat gjithnjë kanë lënë edhe gjurmë të pashlyera, kanë lënë vragë e plagë të ndryshme e të pashëruara. Këtë narracion të jetës, autori e prezanton përmes nënës Zojë, e cila i kishte dhe i rriti katër vajza e tre djem.

Dhe, për ta fuqizuar më shumë mesazhin e temës që shtjellon, autori, në mes tjerash thekson:Jeta i ngjanë një lumi, i cili jo rrallë di të çmendet, dhe para vetes bartë krejt çfarë hasë. Edhe Nënë Zoja, iu ngjanë këtyre valëve, të cilat e sprovuan fort gjatë gjithë jetës.

Nuk e kishte menduar se një ditë, në moshë të shtyrë nuk do i kishte afër ata që i lindi e i rriti me mund e sakrificë…”! Pra, tre djemtë e kishin marrë rrugën e kurbetit, kurse vajzat ishin martuar. Ja se çfarë thotë autori në vazhdim: “Fëmijët iu kishin martuar në kurbet për letra. I vinin rrallë, duke u arsyetuar me “punët e shumta”, vajzat ishin në derë të huaj…”! Pra, këtu shpërfaqet problemi i jetës së njeriut, duke u përballë me trakullimat dhe me probleme të ndryshme, të cilat nuk zgjidhen dot deri në fund, por ngelin si det i hapur e i rrahur nga erëra e furtuna, që nuk prajnë kurrë.

Edhe këtë temë të shtruar e rrahur në këtë formë, autori, ndoshta na prezanton si provokim për ta analizuar e studiuar më ndërgjegjshëm jetën dhe historinë e njeriut të këtij nënqielli.

Pesha e mallit dhe e vetmisë dhe magjia e dashurisë…

Temat tjera që i shtjellon autori si “Pesha e lotit”, Tahir Bezhani, u ngjajnë hallkave të vargonjve, që secila e ka rolin, rëndësinë dhe peshën e vetë, gjithnjë në rrugëtimin historik të njeriut. Këtë, fuqishëm, por edhe tmerrshëm e hasim edhe tek tregimet: “Zyra 316”, “Fishkëllimë e dhimbje”, “Rrëfimi i jetës dhe magjia e dashurisë, “Kujtimi i mbjellë”, “Historia e gjërave të vogla” etj.

Ndërkaq, tek tregimi “Surprizë e lotëve të ndarjes”, prapë lexuesit i referohet një teme e cila shprish mendjen dhe mallin, por duke e shoqëruar sërish në atë vorbullën e plagës së kurbetit.

Përmes një rrëfimi, i cili ngreh peshën e mallit dhe të daktisjes së popullit, sikur shfrytëzon rastin që të vë në piedestal mallin familjar, e që kjo i ngjanë edhe rrëfimit të vetë autorit nga një pjesë e jetës së tij. Kështu, thjeshtë, por fuqishëm sjell mallin, dhembjen dhe dromcat e jetës së Malësor e Rreze Shkozës, të cilët, pasi fëmijët i kanë në kurbet, i kaplon dhe sikur i kapërdinë malli e vetmia por edhe meraku për t’u takuar me fëmijët e tyre të cilët jetojnë në kurbet, se mosha e bën të vetën e nuk i dihet!

Edhe kjo problematikë sjellë një mori pyetjesh për gjithçka, duke filluar nga fati i kombit, nga historia e tij e deri tek koha më e re, e që të gjitha lidhen pashkëputshëm si zinxhirët, e që ndonjëherë u ngjajnë Nyjës të Gordiut: Lëri ato letra o burri im, eja të merremi me naj bisedë së bashku, të dertojmë për hallet tona, a po e sheh se koha po ecën?!

…Ka kohë që vetmia ka ardhur në shtëpinë tonë, por nuk jemi vetëm, koha e bëri të veten dhe e gjithë Kosova u zbraz…”!

Duket rrëqethëse dhe trishtuese e gjithë kjo që autori, jo pa qëllim e vë si problem jetik, nga i cili mund të bëhen e shkruhen tash e gjithmonë studime e vepra, por të cilat sikur asnjëherë deri me tash nuk e kanë sjellë atë arsyen dhe shkakun e dhembjes por edhe të fatit të njeriut, i cili shumë herë nuk varet nga vetë ai.

Autori është i vetëdijshëm, se në pleqëri malli shpirtëror edhe bëhet mollë sherri i dhembjes, i dashurisë dhe i etjes. Andaj, ai ëmbël dhe prajshëm na sjellë tablo jete me këtë temë të rëndë e përcëlluese:Grua, do të shkojmë te familja e “madhe”, te djemtë, nipat e mbesat. Do rrimë më shumë se një muaj…”!

E theksova këtë sepse, edhe autori e di se qëndrimi e bashkimi me familjen në kurbet, për një moment shuan mallin, por, njëkohësisht edhe më shumë e rritë peshën e dhembjes dhe të vetmisë, se jeta ecën shpejtë duke e shpenzuar kohën…! Në këtë rast, është karakteristike, se autori, me apo pa vetëdije, rrahë telin e ikjes së rinisë, të zbrazjes së Kosovës, dhe prapë, shtëpia dhe vetmia bëhen pjesë e jetës së njeriut, në këtë rast të Malësor dhe Rreze Shkozës: Megjithatë, prapëseprapë, kur ata ikën-u kthyen në atdhe, vetmia mbeti pjesë e jetës së tyre, që përkundet në djepin e ditëve dhe stinëve, mallit me lot dhe vaj…”!

Gjatë jetës, edhe dashuria e begaton rrugëtimin jetësor, mbase edhe trakullimat, vuajtjet, dhembjet dhe tragjeditë. Andaj, autori i librit , “Pesha e lotit”, ia shton vlerën veprës, duke e thyer edhe “monotoninë” që ndonjëherë mendohet se janë shtruar tema të “rënda” brenda librit, duke shtruar rrëfimin që kthen në kujtimet e bukura dhe të paharrueshme. Kjo më së miri shprehet te tregimi Rrëfimi i jetës dhe magjia e dashurisë”.

Në këtë rast, “magjia e dashurisë”, reflekton shumë gjëra, të cilat mund t’i përkasin edhe vetë autorit, por edhe secilit njeri. Këtë rrëfim, autori e zgjidh duke e shtruar ngjarjen në një dasmë, ku përmes shikimit “afrohet” e kaluara djaloshare me vajzën, të cilën tani, në dasmë kishin të takohen pas shumë kohësh e vitesh. Pra, të dytë kishin rastisur në këtë dasmë, e që tani afria forcohet duke hedhur valle, të cilat zakonisht ndezin zemrat e shpirtrat, kuptohet edhe duke u afruar ngatë njëri-tjetrit gjatë valles:…Gjatë kohës sa vallëzonim, Mërgimja e kishte pikatur  tavolinën ku ishte Dren Vata. Gjithë kohën mendonte se si ta verifikonte se a ishte Dreni i vertetë, me atë pamje aq burrërore, me bukuri të ruajtur e ma shtat të hedhur si dikur…”.

Dhe, pas shumë “shkrirjeje” të zemrës, sikur ishte harruar dasma për Mërgimën dhe Drenin. Kështu, autori me mjeshtri “aranzhon” takimin e Mërgimes me Drenin, në të cilin takim gjithçka i rrëfyen njëri-tjetrit. Kjo copë idile i bashkoi dhe ribashkoi mendimet dhe kujtimet e tyre:Rrëfimet janë të përbashkëta, fatet po ashtu, dashuria gacë e ndezur, jeta nuk është ‘plakur’ as për neve. Të dua si sytë e ballit. Këtë durim kaq të gjatë na paska ruajtur Zoti për të na bashkuar në jetë.

Mendoj se të gjitha vuajtjet tona duhet “falë” kohës së kaluar, e ne të jemi së bashku gjithë jetën”!

Me qëllim i theksova apo i spikata këto fragmente, për të dëshmuar se autori di bukur dhe fuqishëm t’i shtrojë gjërat që edhe lexuesin ta bëjnë për vete por edhe pjesë të vetë ngjarjes, siç është rasti surprizave të rralla të dashurisë gjatë jetës. Pra, edhe si tek rasti i Drenit dhe i Mërgimes, e cila kishte jetuar në kurbet dhe babai e kishte martuar pa dëshirën e saj, e për ta bërë edhe më të madhe tragjedinë, pas një kohe martese edhe bashkëshorti i kishte vdekur. Andaj, jeta shpesh sikur i ngjanë lumenjve me bifurkacion, por që diku larg apo në kohërat që do vijnë, sërish takohen dhe bëhen një.

Shkrimtari, Tahir Bezhani, tek libri “Pesha e lotit”, përmes rrëfimeve interesante sikur na sjellë tërë jetën pashkëputur por të ngjitur deri në ditët e sotme, e cila edhe sot e kësaj ditë është me plotë rrjedha interesante, të mira dhe të ndërlikuara… E, e tërë kjo i ngjanë një gjerdani të veçantë të rrugëtimit me të gjitha të bëmat, me madhështitë, vuajtjet dhe me  gjithë koloritin që ka.

Libri me tregime Pesha e lotite autorit Tahir Bezhani është edhe një vepër që e begaton krijimtarinë letrare shqiptare.    

 

Në foto: autori i shkrimit, Sejdi Berisha

 

 

Në foto: autori i librit me tregime Pesha e lotit”, Tahir Bezhani