PEIZAZH PËR FJALË TË VËRTETA
Gërshetë e një agimi shpleksej në paq’e qetësi
Përshpërisnin shirat e bardha me qepalla të vesuara
I afrohem shtradhit të bregut – lulet e mashtruara
Çelin, prej vetëtimës fluturon zogu në sytë e mi
A futen bjeshkët në pikturë – telakja bjeshkë –
Trajtat e ardhshme shohin arabeskat mahnitëse
Mbi urën ndërmjet buzëve – bulëzave – pahitëse
Në lojën e pandërprerë luan me zell një murgeshë
Me duar të zgjatura më lind soneti veshur me blerim
– Ardhja e verës në bebzat e vashës – fjalë e paepur
Trishtili m’i përtërinë vargjet mugëtirës së heshtur
Qarkut të mullirit ujem kërkon guaca – shpirtin tim –
Stralli i tim eti me pergamenë qumështi do të ndizet
Peizazhit për fjalët e vërteta telajoja të ngjizet.
DREGËZAT PLANETARE
Me sy të pafjetur dua t’i shoh dregëzat
Planetare që nëpër lëkurë më janë rropullosur
Speciet e gjora gusht’i shurdhët i ka vrugnosur
Prej lutjeve plagët po përthahen si krekëzat –
Në mote të harruara përroi rrjedh si më parë
Nëpër këmishën e përgjakur veshur me vetmi
Me gozhdën e fëmijërisë i përcëllova pa u ngi
Dregëzat planetare i kam mbërthyer me hi e zjarr
Nën kafkën e dhelprës i lava me ujë të bekuar
Me dregëzat planetare i mbusha pacërkat boshe
Merimangat e zeza u zhdukën nëpër çdo qoshe
I vara në hatulla – lëkurat nisën për t’u rigjeneruar
Dregëzat e zgjeben djalli i mallkuar i urren
Më i duruar se Jobi, vargjet e mia duan fluturim
Ballëlartë eci me ninëza të blerta në çdo agim
Që çdo zemër injoranti me zeher e ushqen.
ZOGJTË E ZINJ
Do ia kthej zërin gurgullimës zështerrur
Me brigjet e lumit kurrizin ia mbështes qiellit
N’ëndërr me sqepa metali çukisnin rrezet e diellit
Mesditës zogjtë e zinj shpërndarë kam për t’i therrur
Që na ngrohnin shikimin kah retë dhe urtësitë
E njoma u mbollë thellë në zemërbardhësinë
Kot shkëpurdha hithërave – pështyra pleqërinë
Zogjtë e zinj takuan veten prapë nëpër fatkeqësitë
As n’Anamoravë zogjtë e zinj si kam trashëguar
Shtërgjet gand në kryet tim një gur e kanë lëshuar
Dhe për ta gjetur himnin kurrë të pa kompozuar
Për të ma krisur ballin me legjendën pa u kënduar
Zogjtë e zinj kthyen shkrepit pas erës ledhatuese
Me gishtat e rritur çerdhet trukshëm i pastrova
Së tokthi me lumin e palodhur këngë rishtas këndova
Gurgullimës zështerrur i erdhën zërat kumbuese.
KËNDIMI I PARË
Lajmëtarët e kohës në mungesë i therra përsëri
Se përcollën porosinë e fshehtë për këndim të parë
Nga thundrat e pamëshirës për t’u bërë këngëtarë
– Një zog i përgjumur u përbirua pa vështirësi
U nisa me lëmshin e Arianës n’ëndrrën e rinisë
Pas bregut të vështirë – hardhitë portë bardhoshe
Udhambarë! – më thanë – imazhet e mia fatmiroshe
Me atë zjarr të zjarrtë pa harruar pragjet e shtëpisë
Këndimi i parë nisi frytin një stine të vështirë
Ç’ju vërsulën laraskat vargjeve me lapërdhitë
Me çakëëërrrima foleve i vunë kllukë tradhëtitë
Çdo verë me lëngatë për to nuk pata mëshirë
Këndimi i nisur grafulloi me lirë e tinguj Orfeu
Që nga udhëtimi i parë më ndjek vetëm rrufeja
Oh, as nga gjiri i nënës kurrë s’është mohuar beja
Peng i mbetem vetvetes përherë besnik i këtij dheu…
ÇERDHET E PËRDHOSURA
Kur lufton i vogli për emër të vet,
Edhe n’ja k’putësh duart, me zemër t’vret.
Enver Gjerqeku (1928-2008)
Desha t’i bëja çerdhet në kikë të një mali
Stinëve të moteve vargjet të rriten në amësim
Hovit të njerëzimit – t’ia shoh hapin – ngadhnjim
Veten ta njësoj me dashuri – rreze t’ju fali –
E prisja pranverën e brumosur ma vyshkën prillin
Prej fillimit filluan lulëkuqet t’mi fusin në lak
Përbuzja e paemërtuar – shpagimi lahet me gjak
I vogli del nga përralla me dëshmi kërkon diellin
Të mbërthen përdëllimi – dielli rrezon në pafuqi
Sepse në placë të palcës thekshëm të dhemb, e
Fjala e paepur mugtirës së heshtur s’i jep dot ujem
Fëmijës së palindur ninullat i këndohen me dashuri
Çerdhet e përdhosura rishtas jam duke i thur
Nëpër cepat e buzëve le të më pikojnë shkumë
Pengjeve të zgjuara kaltëron me valë i thari lumë
Gjurmëve të stërgjyshërve – gjendet ndonjë burrë.
JANUSËT E HARESHËM
Më ëndrra e andrralla kohën nuk e gjënjej
Të vërtetën edhe kundër vetes e them pa pra
Eci yjve i vogël – udhëtar i jetës – pa mashalla
– Kur më turret inati ndër rrufena kapërcej
Fusha nën vetulla të shikon – mali veshët bigë
Secili prej nesh në kurriz e bartë vesin e mushkës
Pas zhburrërimit lëvdata vaftë në p… të krushkës
– Kur gulfon gjaku – helmet rrjedhin rigë-rigë
Nga Adami e Eva gjaku kurrë se ndërroi ngjyrën
se: lulëkuqet e jetës rriten në bahçe të dashurisë
edhe matanë sezameve gjurmon udhën e qetësisë
Në këndet e kryqëzuara njeriu e ruan fytyrën
Kend se zuri mllefi dhe muzgut i thuri kurorën
Me mjeshtri e regja atë trishtim të çaraveshëm
Me zambakë shfaqen sërisht Janusët e hareshëm
Janusët e dyfishtë asnjëherë se tundën këmborën.
POETI I VETËMUAR – YLL ME FANAR
Magjepsur për qiell me rrënjën i lidhur tok
Me hirin tokësor dhe të hyjnueshmin këngëtim
Është poet i vetëmuar kufi në të verës ngushëllim
Si flutura e natës e gjetur n’abuzim me një zog –
Është poeti thërmi floriri apo e ndezur shkëndi
– Ç’thonë për këtë kristalet, thesaret e mineralet
Kur kokën ma kanosin – zemrën yll ma ndeze ti
Anamorava që deri në grykë m’arinë, ujë s’ndalet
Poet i vetëmuar në natyrë, ti rrugën mos e harro
Kur brigjet gjëmojnë heshtjet mua m’i përshtat
Në vetmi koka ime u rrit – lumë i thellë në shtrat
Përgjigju tingull uji rrjedhës me zamare kumbo
Poet i vetëmuar – yll me fanar – shoqëruar me stuhi
Në thellësitë kaltëroshe te ti e gjallë zemra rreh
Me dënesje për kokën time deti sogjet i ngreh
Me cunamet e vullkanet, rrathët përndritën shkëndi.
Jeta shkrep durime – si meteoriti shpenzohet
Në pluhur kozmik, në grimca imcake shpërndarë
Për tagër një yll i zi në qiell ç’po rri lëvarë
Të liga janë gjasat, dashuria gjakut rigjenerohet.
NJË FARË KOHË – ANTIKOHË
Ndoshta edhe ne si taravelët do ta përjetojmë
Një farë kohe qesharake atë kohë i çmenduri
vetëm plotësisht të harruar sikur i pagdheduri
do të thotë: pakëz jemi plagosur pastaj vallëzojmë
Kërkon muzikë ndërron vetminë me këngën e mjellmës
Në kumin përcëllues gjurma mund të përshkruhet
Që rrakadyllet delikate, vajit të fëmijëve i druhet, se
Çdo gjë merr aktin e shpresës, urnën blu të tjegullës
Ndoshta do ta përjetojmë tepër herët këtë antikohë
Kur fillon të shkëlqejë ajo arenë është paksa vonë
Ta quaj Zjarr para të cilit të nesërmen ç’do të thonë
Për ata që do të jetojnë n’amëshim s’do të ketë llohë
Do të njihemi në shtegun herak dhe të vetmuar
Me ninëza të përlotura shikojmë vetvrasjen e shiut
Gjarpëri i shtëpisë do përdridhet në duar të litarxhiut
Pafuqishëm do t’i vërsulemi plagës së pashërruar.
BUZËQESHJA E ZEZË
Po ma drejton buzëqeshjen më të zezë se bloza
Dhe me sytë e urrejtjes ç’po më shigjeton
Çdo gjë timen të vogël me inat po e lakmon
– Ashtu je i lindur, ashtu ta ndjellë dhe loza[1]
Mbi shputat e mia i ke hap krahët e mëdhenj
O, miku im i harruar stinëve, pse vjen vërdallë
Sytë më shkrepin dashuri – ninëzat plot mallë
Duart e mia besnike s’durojnë hekura as frenj
S’ta përfilli buzëqeshjen, rritur në gurra të cemta
Gishtat më janë ngjeshur në vek të një blerimi
Kur ta shoh buzëqeshjen e zezë ty të rrok trishtimi
Trashëgim e ke smirën nga rrugët e shtrembëta
Buzëqeshja jote e zezë në këtë natë të zgorit
Si pluhuri i shtjellës po sillet etshëm dhe pafund
Buzëqeshja jote e zezë: as më mëkon, as më mund
– Me diellna bleruar mbi shpinën e një hamshorit.
TA NJOH ATË URREJTJE
Ndërmjet asaj drite dhe tokës është dikush
Që po ma shkel me shputa ling ajrin e lehtë
Thembrat e këmbëve të mia ç’po m’i kaçubetë
Në një vesh është burimi, tjetrit derdhja – push
Jam lart në cikol, në trajta nxënës i përvujtur
Dielli i qershorit zgërdhihet me eshkë kokës time
Nëpër korridoret e mia endem të gjejë strehime
Kundroj dritën e tromaks natën njësoj i drojtur
Njerën dorë ma bart lumi, tjetrën ma rënon era
E kam zemrën e gurtë, ngërdheshjeve s’u habitem
Lehjet e natës së lodhur – hënësinës kacafytem
Ma trazojnë gjumin e lënurur rresht disa pranvera
Hëna e thërret të vijë: beronjën e ëndërruar
Me buzëqeshje solemne për endacakun e vrerosur
Zhduke, ore atë shëmti! – urrejtjen e helmosur
Këtu ç’po shkëlqen dielli, tërë pluhuri i grimcuar.
LAVDËRUAR QOFTË
Lavdëruar qoftë prapshtimi që na prinë
Rrudhave të natës në një mëngjes zhavorri
Ne zgurdullojmë sytë – shkëndija titron unori
Gjatë rritës së bimëve – egërsirat verën e pinë
Mallkuar qoftë ai… që futet dihamës njerëzore
Shikimi balsam se lëshon – tutkalliset me kokën
Bredhin bukurive me nxitim qiraxhinjtë për tokën
Kujto ndriçimin, misteret mbijnë njomështore
I lavdëruar qoftë… strumbullari i mashtrimit
Lutjet e fëmijëve zbulojnë prejardhje qesharake
Vrapojmë pas luleve nëpër ëndrrat helmarake
Është kujtesë hapësira – yll i djegur i amshimit
Lavdëruar qofshin prejardhjet e premtuara
Këto vise nga shekulli në shekull lypin shteg
Gozhdimi i zemrës me kulmarë mbeti në breg
E nisur gjeorgrafia me kthimet e dhëmbëzuara.
Në vendlindje,
maj – qershor 2013