Duhet të ketë qenë fundi i viteve ’50 ose fillimi i viteve ’60, kur  qyteti nuk  kishte mbushur as 10 vjet nga lindja e tij. Atë kohë isha fëmijë, dhe familja më merrte me vete  kudo, edhe kur vinin në Rrëshen për festën e rrethit dhe nëna s’më lëshonte nga dora. Ende i mbaj mend flamuj të vegjël si trekëndësha të kuq, që zbukuronin rreth e qark tribunën dhe qytetin, gjyshen time në tribunë, fjalimet, brohoritjet… Pastaj populli i mbledhur në miting zbriste poshtë tek varrezat e dëshmorëve për të vendosur kurora. Në darkën festive, kamarierët  vinin rrotull tavolinave të miqve të ftuar, me tabaka në duar, dhe më kujtohet që një moment njëri prej tyre papritur u kthye nga unë dhe më pyeti : “Kak tebja zavut?” Edhe pse e kuptova fare mirë pyetjen, unë heshta dhe u ktheva tek vendi im, pranë nënës. Më duket se më pëlqeu që ai më pat marrë për ruse, ndryshe do  t’i isha përgjigjur. Atë kohë vendi ynë ishte ende në marëdhënie diplomatike  me Bashkimin Sovjetik. Të vjetrit  ndoshta mund të dëshmojnë që në festën e çlirimit vinin edhe përfaqsues apo diplomatë  të huaj, nga Lindja. Duhej të tingëllonte si absurditeti më i madh atë kohë apo si imagjinata më e çmendur, nëse dikush do të parashikonte që një ditë, Shqipëria jonë e vogël do të bëhej mikja më e madhe e Amerikës apo e ‘Imperializmit amerikan’.

Gjithësesi, në këtë përvjetor lindje të Rrëshenit, duke u kthyer sërish tek kujtesa e fëmijërisë  me sytë e mendjes  shoh shtëpitë e vogla njëkatëshe, me tulla të kuqe,  godinat e para të qytetit “foshnje’ dhe në oborret pas tyre këndonin gjelat, e vraponin disa lepujt të bardhë,  të cilët ishin dëfrimi më i madhi  i ne fëmijëve që kishim ardhur nga Tirana, për festën.

Vonë- vonë, në vitet ’70, kam ardhur në Rrëshen si studente praktikante e Gazetarisë. Qytetit atë kohë i ishin shtuar pallatet, Hotel i ri, Pallati i Kulturës, dhe qendra e qytetit kishte marrë formë të plotë dhe simetrike. Ndër shkrimet e mia të para në karierën gazetareske qe ai për 30 vjetorin e Clirimit të Mirditës, tek “Zëri i Rinisë’.   Nga redaksia më thanë se e kisha shkruar me shumë dashuri atë përshkrim.  Pakkush nga lexuesit e gazetës mund ta merrte me mend atëherë, se dashuria për Mirditën tek unë kishte lindur shumë herët, që nga rrëfimet e gjyshes sime, Nënë Davës. Tek ajo unë shikoja Mirditën vetë, shikoja mënçurinë dhe urtësinë e krahinës, guximin e trimërinë, karakterin e fortë, shikoja qëndresën e bujarinë. Ajo, grua të cilës i dëgjohej fjala me vëmendje të madhe si të fliste me proverba, ruante në raftin e saj kostumin mirditor, të cilin kur unë mbusha 15 vjeç, ma dha ta vishja për herë të parë,për të bërë një fotografi me të. Ishte privilegji im më i madh dhe një ëndër e fshehtë e imja. E dija që gjyshja ime e mbante atë kostum në ruajtje, për ditën e fundit. Kostumi mbante erë borziloku nga një tufë e tharë të cilën e ajo e kishte futur prej kohësh në raft. (Si e kishte ruajtur vallë atë kostum, në tërë tallazet e jetës që kishte kaluar?)Bëra një fotografi në krah të gjyshes. Edhe sot e kësaj dite ajo foto është në albumin e mamasë.

Njeriu asnjëherë s’është në gjendje ta parashikojë të ardhmen e vet. S’kisha menduar kurrë se pas disa dekadash, një vizitë e rastësishme në Rrëshen me vëllezërit e mi, gjatë kohës së pushimeve nga Nju Jorku,  do të  bëhej shkak për të marrë një vendim të papritur e të rëndësishëm në jetën time. U ulëm në kafe bashkë me Ndue Dedajn dhe filloi një diskutim interesant për Mirditën dhe traditat e saj;për bukurinë e mënçurinë e fjalës mirditore,dhe zakonet fisnike të krahines. Mu bë se po dëgjoja rrëfimet e gjyshes dhe një afeksion  i rilindur në mënyrë të  papritur për këtë vend, më bëri të ndihem  më parë mirditore, se shqiptare .

Në çantë, vërtet mbaja pasaportën amerikane, por në shpirt asgjë s’kishte ndërruar tek unë. Nuk m’u desh fare kohë për të vendosur për blerjen e një apartamenti të ri, në qytet.  Apartamenti më pëlqeu mjaft, madje mund të them që i ngjet shumë  atyre që  këtu në Nju Jork   i quajnë condominium apo ‘kondos’, fjalë që u referohet apartamenteve luksozë.  Nga ballkoni i apartamentit në ndërtim dukeshin kodrat e gjelbëruara përballë, shtëpia e Nikollë Melyshit dhe pak më tej edhe dy vilat e kushërirave të mia, Zina Melyshi-Vorfit dhe të motrës, Donikës. Ato janë aq të dashura me mua, sikur kam jetuar me to gjithë jetën. “Gjaku s’bëhet ujë” thotë populli. Natyrisht këtë shprehje të vjetër, kaq të mënçur, regjimi monist  duket e harroi kur ndezi monstrën përcarëse -luftën e klasave edhe brenda gjakut, edhe brenda familjes. Melyshajt prapë u bënë një, këtej dhe përtej Atlantikut.

Gjatë kohës që punohej në apartament, u njoha me disa nga banorët e pallatit dhe për kënaqësinë time mësova se aty  banonin edhe nipërit e gjyshes sime, nga Oroshi,  Frani   dhe Pashku, baballarët e të cilëve i kam ende në kujtesë kur vinin të vizitonin hallën e tyre, domethënë gjyshen time, Nënë Davën e paharruar.

Natyrisht, në fillim më habiste pak mënyra habitore me të cilën më ndiqnin disa vështrime  banorësh. E kishin vështirë ta kuptonin vendimin tim për blerjen e shtëpisë në Rrëshen, kur unë vija nga ‘kryeqyteti i botës’, Nju Jorku.  Por ka mjaft si unë, që aktualisht banojnë jashtë vendit, por që flasin e shkruajnë për Mirditën e këndojnë këngët e saj. Shqiptarit të mërguar gjithnjë i ka mbetur koka prapa, në atdhe. A duhet të kthehem tej ndër kohëra, për të sjellë emra figurash historike që ‘i mundi’  malli i atdheut dhe u kthyen tek ai, për t’i shërbyer, apo për të vdekur atje?

Në apartamentin e ri, rastisi të kem fqinj  ish emigrantin të kthyer nga Italia, Agustin Bardhokun. “Ndenja 15 vjet në Itali,- më tregoi ai që në bisedën e parë,- por po të vazhdoja të rrija edhe më gjatë se aq, fëmijët do të më bëheshin italianë. Këtu bleva apartament për vete dhe për prindërit dhe do të hap edhe  bisnesin tim dhe ndihem për mrekulli. (Tani kam mësuar që ai me të shoqen Florën e kanë hapur bisnesin dhe po u ecën mbarë).

Tani që po shkruaj këto radhë,ndodhem në Nju Jork dhe pres me padurim të vij në Rrëshenin tim, në mes kodrave të buta të mbuluara tashmë nga gjelbërimi pranveror; të pi kafen e mëngjesit tek lokali ‘President’i kushëririt tim, Franit , dhe atë të pasdites tek ‘Filopati’, i cili ka dalë  ‘t’i presë’ miqtë që në hyrje të qytetit.

 

Nju Jork,Mars 2012

-Per Limit.al Prill 2020-