– nga parathënie e botimit frengjisht të romanit “Varri i Fatit” –

Romani “Varri i Fatit” zbulon artistikisht një botë të dyfishtë. Në njërën anë totalitarizmi, i rrëzuar por jo i vrarë; në anën tjetër demokracia, që i merren këmbët prej dehjes e pasigurisë. Pamjet ndërthuren si nëpër dy negativë filmi vendosur njëri mbi tjetrin. Sa absurde, aq të kundërta e të pandashme.

Ngjarjet zhvillohen në një vend të lashtë europian, disi ekzotik, prej të cilit për gjysëm shekulli kanë ardhur kumte të habitshme e kundërthënëse. Megjithëse më pak se 30 mijë kilometra katrore e 3 milionë qytetarë, Shqipëria ka mbajtur mbi shpatulla përcaktime të tilla si “ana e pasme e hënës”. Më pas bota u befasua nga përmbysja paqësore e diktaturës më të ashpër pas Luftës së Dytë dhe nga ritmet e hapjes e mëkëmbjes. Por prapë si në legjendën shqiptare të Kalasë së Rozafës, “natën” shembet gjithçka: pushteti i ri demokratik rrëzohet nëpërmjet një rebelimi të dhunshëm (1997).

Në qendër janë hetuesi Kir Lotai dhe një i vdekur, që herë pas here shfaqet si i gjallë. Ky i vdekur është plaku Anastas, ish-funksionar i lartë i policisë së fshehtë komuniste.

Hetuesi është një specialist i ri që mundohet të ndriçojë rrethanat misterioze, në të cilat plaku Anastas u gjet i vdekur (apo i vrarë?) në një varrezë, mbi dherat e një varri të ri. Ai merr në pyetje njerëz të gjallë e të vdekur, kafshë (“dëshimtari qen”), sende e deri ndjenja, si Psherëtima Rozë dhe Psherëtima e Patretur.

Autori i ngatërron kohët, duke përcjellë mesazhin e trishtuar se disa gjëra mbetkan të pandryshuara: etja për pushtet ashtu si dhe domosdoshmëria e idealistëve dhe e idealizmit, bashkë me fatin tragjik të tyre. Kjo ide zhvillohet tronditshëm me kapitujt “Dëshmia e qenit” dhe sidomos “Dëshmia e Priftit”.
Ngjarjet e sotme autori i ngërthen me legjendat e lashta shqiptare, shumë prej të cilave, krejt të virgjëra, pak të njohura në Perëndim.

Pas dëshmisë së Priftit, që vjen si finale e librit, të fut në mendime ideja se totalitarizmi i rrëzuar rishfaqet jo rrallë me trajta të reja “të imunizuara”, përballë vaksinave të botës së lirë. Njësoj si viruset.

Fotografia e Mehmet Elezi