“Më erdhi Todi Lubonja nga Tirana në Korçë, me një makinë “Xhip”, e më tha se do shkonim në Pustec. Se në Komitet Qëndror kish shkuar një letër për një burrë 70 vjeçar që bënte seks edhe këtej edhe andej kufirit. Rasti kish ngjallur kureshtje të madhe tek Byroja Politike që ishte tek të gjashtëdhjetat. E shkuam në Pustec dhe e thirrëm fshatarin e shkretë. Vërtet bën namin në dy shtete, i thamë. Vërtet, na tha. Po si?! -e pyetëm. Dhe na tregoi. Andej nga vjeshta dilte e mblidhte njëlloj bime të zonës të cilën e thante dhe e pinte si çaj gjithë vitin, e pastaj s’ pyeste për atë punë e as për kufij. Kush ti dilte përpara. Dashnore këtej e andej. Todi i tha se duhet të kishte kujdes me këtë punë por meqe ka dhënë efekt duhet të ndihmonte partinë. Vetë Byroja Politike ka ca probleme kohët e fundit… kupton! Duhet të mbledhësh nga ky bari edhe një dorë për Byronë. Fshatari tundi kokën dhe u çel. E ne shkuam të hamë drekën e të pimë raki. Kur u kthyem nga të ngrënë e të pirët kaluam mes fshatit dhe pamë nga makina fshatarin që rrinte vetmuar. Todi ndali makinën, hapi xhamin dhe i thërriti. Ai erdhi me vrap. E shiko, e porositi. Nga ai bari mblidh shumë, shumë! Ka shumë nevojë Byroja! “
Sa herë këmbehesha bulevardit të Tiranës me Mihallaq Luarasin, pasi më tregoi këtë ndodhi, përshëndeteshim duke qeshur me fjalët: Dhe shiko! Mblidh shumë! Udhëheqja ka nevojë!
Edhe e sotmja?! Edhe ajo! Edhe ajo!