Kryeministri Edi Rama ishte mbrëmjen e sotme në Krujë dhe Thumanë, ku vizitoi familjet e prekura nga tërmeti katastrofik i 26 nëntorit. Gjatë kësaj vizite, Rama shoqërohej nga zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe deputetja Eglantina Gjermeni.

Në takim Pacolli, i cili ka dhuruar 1 milion euro për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, bëri një tjetër premtim për këta banorë, që ishin ndër më të prekurit nga tërmeti, teksa tha se do të ndërtojë vetë banesa për ata që mbetën pa çati në kokë.

“Aty ku ka pallate mirë është me zbrit poshtë, për të hapur hapësirë, se Kruja është qytet turistik. Vendosim dhe një fond ne dhe bëjmë një operacion që të dalë edhe qyteti i fituar. Rregullon kualitetin e jetës, më mirë në rrafsh ku krijohet një infrastrukturë tjetër, që ka afër shkollën e kopshtin”, tha Pacolli.

Më tej, Pacolli shtoi se ka nisur nga puna për të bërë projektin e pallateve, ndërsa tha se nëse nuk krijohen pengesa, ata do të jenë gati për 3 muaj.

“Nëse nuk ka pengesa në rastin më të mirë, një pallat, 45 banesa nga 80 metra katrorë, për 3 muaj duhet të kryhet”, tha ai.

(BalkanWeb)