NJË POEZI E VEÇANTË DHE ME INDIVIDUALITET ARTISTIK

Nga  Eglantina Shehu

Kur merr dhe lexon vëllimin poetik “Gjethet do t’i pres me dorë” hyn në një kohë ku bien gjethet, në një vjeshtë poetike të begatë që jepet në tërë vëllimin poetik, me ndjeshmëri poetike, lirizëm dhe liriko-epizëm. Libri është i përbërë nga lirika, që naë në qendër unin poetic si vetja, apo alter egon e saj, me misionin për ta përcjellë bukur një realitet artistik të krijuar në funksion të disa ideve themelore të librit.

Në vijim të një tradite të përvijuar ndër vite, tema e qëndresës, mibijetesës, vetëflijimit dhe ringjalljes është mjaft e trajtuar në poezi. Sakrifica dhe mbijetesa në vargun e poetes Drita Kosumi zbulojnë arsyet për të ekzistuar, ku heronjtë gjenden “aty ku përshpëritet dashuria”, ku “liri bëhet hëna”, siç shprehet te poezia që hap vëllimin poetik me titull “Puthje në kohën e ndaluar”.

Titujt e shumë poezive kanë një domethënie të dyfishtë, dhe ato na zbulojnë dy anë njerëzore: epizmin ose tragjizmin dhe lirizmin e tij, pra kudo ka lirizëm, ka jetë, ëndërra për të nesërmen dhe shpresë, në çdo rast, sepse siç duket vërtetë shpresa vdes e fundit.

Shohim titujt e disa poezive: Ç”rëndësi kanë stinët”, “Jetë apo dhimbje”, “Vrapoj pas yjeve”, “Ëndërr drite”, “Dialog me kohën”, “Përqafo mëngjesin”, “Ku shkojmë” etj. Në këto poezi autorja jeton dy realitete, bashkon dy ndjesi, gëzim dhe dhimbje pa i shkrirë në një. Ja si shprehet dyzimi njerëzor në mënyrë poetike: Ç’ rëndësi ka dielli kur rrezon si borë e zezë/ kur hëna e pangjyrë vargnon hije të frikshme/ … stinë e djajve kjo e dita e mugët/ skëterrë si vel në detin e ngrirë/ me përpëlitjet mes jetës e vdekjes//.

Substanca përsiatëse është e pranishme dhe te poezitë atdhetare dhe ato historike, intime, të vendlindjes, etj, ku vargu ngarkohet me reflekse kategorish nga ekzistenca dhe metafizika. E përcjell ditën/ pritja nuk merr fund/ më tradhton shpresa/ vetmi mbjell// Në mbrëmje flas me yjet/ andej kah Çamëria/ mbytur me mall të ftoj/  të na lagë shiu i dimrit/ të na thajë malli i passhiut//.

Stilet janë mënyra, gjetje unike të shprehjes së unit poetik. Pikërisht stili, mënyra, gjuha, lidhen me qëllimin dhe misionin e çdo krijuesi. Këtu qëllimi është zbulimi i “së brendshmes”  së poezisë përmes fjalës. Bëhem flutur ëndrre/ në qerpik të syrit tënd/ për pak kohë/ se pastaj ngrohtësia ma shkrin mallin//. Këtu kemi një ndërthurje kohë-hapësirë dhe poetja jeton në përkohshmërinë e të dyjave, një përkohshmëri që relativizon gjithçka për pak kohë.

Disa poezi të autores kanë ngarkesa të mëdha emocionale. Sonte mëngjesi luhat valët e detit/

përthyhet bukuria në notat dashurore/ e shpirti im binjak/ atje larg/ mozaik hënor// Syri kapërcen ndalesa/ mbledh flutura/ thur kurorë//.

Peshë të madhe në këtë vëllim zë lirika atdhetare me karakter kushtimi. Heronjtë e luftës dhe luftëtarët e betejave vijnë për të mos u harruar, për të vazhduar jetën si nevojë e të gjallëve, si modele sociale, në një realitet që ec mes shpresash dhe zhgënjimesh. Në këtë zgjedhje të poetes, ata shërbejnë për t’u kujtuar lexuesve të poezisë idealet ende të gjalla, të cilat duhet ta lëvizin shoqërinë. Drita e idealizon atdheun, Kosovën, Shqipërinë etnike, duke e trajtuar  diku si përjetim individual e diku si përjetim kolektiv, ndërkohë që në një realitet kompleks kosovar të pasluftës, idealet përballen me një realitet të vrazhtë që shpesh i vret idealet.

Poetja ka nderim të thellë për ata që u flijuan për liri dhe i shikon si modele për t’u imituar. Janë ata që Atdheu i kishte lindur për vete, për të vdekur dhe pastaj për t’u rikthyer në mes të gjallëve.

Përdorimi i metaforës në poezi është një nga aspektet më të rëndësishme të stilit poetik.

Metaforat e zgjedhura me shije të lartë artistike shërbejnë për të shprehur emocione sipërore, ndjenja të përziera, marrëdhënie të ndërlikuara që dalin përtej përditshmërisë. Poezia ndërtohet mbi aksin e raporteve të njeriut me kohën. Këtu fjala nuk vdes, ajo e zhbën kohën dhe vjen si dëshmi e saj. Kemi një vjeshtë të moshës, të realitetit shoqëror, të shpresave, një stinë të rënjes së gjetheve, por ato gjethe nuk përfundojnë në tokë, nuk ikin dhe duke mbetur në dorë, bëhen pjesë jetës në formën e të djeshmes që na shoqëron si e tashme. Poetja e përdor të djeshmen si përvojë me vlerë: Historia më mësoi shumë rrugë/ ëndrra të reja e të vjetra/ lumin që rrjedh/ në shumë shtigje trillimesh/ me ujëra të trubullta/ stinët me acar e furtunë/ rrëfime të murosura/ gurë mbi gurë? në greminë rrokullisen/ dallgët e qëndresës/ mbi e nën rrugë/ e në rrëketë e kujtesës/ një lumë//.

Është një poezi origjinale që jep shpresë për udhëtim të gjatë të poetes Kosumi-Syla, që po tregon se di të jetë vetja në poezi, di të hapë shtigje të reja dhe të ecë përpara. Shumica e njerëzve e lidhin kreativitetin me origjinalitetin, si një kusht të mjaftueshëm për të krijuar vepra artistike të përvetshme. Poetja Kosumi po ec në rrugën e saj artistike, duke na sjellë dimensione të reja të krijimtarisë poetike.