Autoritetet qeveritare maqedonase bëjnë të ditur se janë hequr barrierat tregtare nga ana e Republikës së Kosovës për transportin e mjaltit dhe patateve. Ministria e Tregtësisë dhe Industrisë së Kosovës e ka njoftuar të enjten Ministrinë e Ekonomisë së Maqedonisë së Veriut për heqjen e bllokadës.
Sipas njoftimit të ministrisë maqedonase, “Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë në Kosovë në fund të javës së kaluar kishte dorëzuar dokumentet e nevojshme për realizimin e mbikëqyrjes aktive dhe pasive të rasatit te peshqve, që ishin të nevojshme për importin e këtyre prodhimeve në Maqedoninë e Veriut”.
“Pasi Agjencia e ushqimit dhe veterinarisë së Maqedonisë së Veriut ka bërë kontrollin në terren dhe ka konstatuar plotësimin e të gjitha detyrimeve nga pala e Kosovës, në pajtim me rregulloren ligjore Ministria e Ekonomisë (së Maqedonisë së Veriut) sot mori vendim që Republika e Kosovës përsëri të vendoset në listën e shteteve prej të cilave lejohet importi i rasatit të peshqve”, thuhet në komunikatën e ministrisë në Shkup.
Ministri i Ekonomisë në qevreinë e Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi u tha gazetarëve se vendi i tij “nuk do të bëjë kompromise kur vjen puna për standardet të cilat duhet të plotësohen sipas rregulloreve evropiane”. Bekteshi tha se qeveria maqedonase po bën gjithçka për të hapur tregje të reja, por edhe për të mbrojtur qytetarët përmes kotrollit të shtuar të prodhimeve të cilat hyjnë në vend.
Nga ana tjetër, Kosova është një ndër tregjet kryesore për Maqedonine e Veriut; Kjo e fundit eksporton kryesisht prodhime bujqësore dhe të industrisë së rëndë. Vetëm për gjysmën e parë të vitit në vijim Shkupi ka eksportuar mallra me vlerë prej mbi 200 milionë eurosh drejt Prishtinës. Midis dy vendeve ballkanike ka një disbalanc të shkëmbimit tregtar. Maqedonia e Veriut mezi importon një të dhjetën e mallrave të vlerës së eksportit të saj drejt fqinjit verior.