Zëvendës Kryeministre Mesi, Zonja Hoxha, zonja dhe zotërinj,
Dy vjet më parë, në një konferencë tjetër të Partners Albania thashë:
- Shoqëria civile në Shqipëri është e fortë dhe dinamike.
- Shoqëria civile drejtohet kryesisht nga gra dhe të rinj me energji, entuziazëm dhe optimizëm.
- Dhe, shoqëria civile mund të luajë një rol të rëndësishëm si rojtare kundër korrupsionit.
Kur e thashë këtë, e dija se kishte njerëz skeptikë të cilët thanë se shoqëria civile është e dobët dhe punon vetëm për interesat e veta. Ata thanë se shoqëria civile ishte blerë nga socialistët, demokratët apo LSI-ja.
Unë mendoj ndryshe. Mund të shoh se shoqëria civile ka arritur fitore të jashtëzakonshme në tre vitet e fundit.
Për dekriminalizimin, gazetarë të guximshëm ishin të gatshëm të shkruanin për Arben Ndokën, Elvis Rroshin, Mark Frokun, Aqif Rakipin, Shukri Xhelilin, Koço Kokëdhimën dhe Dashamir Tahirin. Falë këtyre gazetarëve, këta politikanë nuk janë më në Kuvend apo bashkitë.
Për reformën në drejtësi, mbaj mend që fëmijë, pensionistë, mësues, drejtues të OJQ-ve dhe njerëz të tjerë të zakonshëm u mblodhën përpara Kuvendit më 21 korrik 2016, në piskun e vapës, për të kërkuar që përfaqësuesit e tyre ta miratonin këtë reformë. Dhe sot, OJQ-të po vëzhgojnë vetingun dhe krijimin e KLGJ-së, KLP-së, SPAK-ut dhe të BKH-së.
Për zgjedhjet e vitit të shkuar, OJQ-të shqiptare luajtën një rol të rëndësishëm në vëzhgimin e zgjedhjeve, por edhe në monitorimin e marrëveshjes së 18 majit, që solli kaq shumë ndryshime të ndërlikuara administrative në javët përpara zgjedhjeve.
Shoqëria civile shqiptare dhe gazetarët duhet të jetë krenare për të gjitha këto gjëra dhe shumë të tjera.
Por, nuk duhet të bëheni dembelë. Ka ende shumë për t’u bërë. Prandaj kemi punuar me Partners Albania për t’i ndihmuar organizatat vendase të shoqërisë civile të bëhen më të pavaruara financiarisht dhe më të suksesshme.
Cila është sfida kryesore sot? Do të isha shumë i lumtur nëse shoqëria civile do na bashkohej në thirrjen për arrestimin dhe ndjekjen penale të peshqve të mëdhenj kriminelë.
Shqipëria ka mbështetur kapjen e një peshku të madh, trafikantit të drogës, Met Kanani, që u arrestua në Turqi më 22 mars. Urdhëra arresti janë lëshuar edhe për dy trafikues të tjerë të mëdhenj, Klement Balili dhe Arbër Cekaj, por ata duhet të kapen.
Kryebashkiaku Fran Frrokaj dhe ish-kryebashkiaku Elvis Rroshi po ndiqen penalisht. Hetimet po vazhdojnë ndaj Saimir Tahirit dhe Adriatik Llallës. Asnjë nuk është mbi ligjin. Mirëpresim faktin që Z. Tahiri do të përballet me drejtësinë si qytetar i zakonshëm pa imunitet.
OJQ-të dhe gazetarët shqiptarë duhet të punojnë për të ndihmuar publikun të kuptojë pse këta persona janë kaq të rrezikshëm dhe të ngrejnë pritshmëritë se së shpejti do të arrestohen dhe ndiqen penalisht.
Së fundi, nëse mund të nxisim politikanët dhe prokurorët që më në fund të heqin pandëshkueshmërinë ndaj këtyre kriminelëve, atëherë Shqipëria do të ketë një të ardhme shumë të ndritur. Një të ardhme në Bashkimin Evropian. Një të ardhme pa trafik droge. Një të ardhme në të cilën qytetarët e zakonshëm nuk kanë më frikë nga korrupsioni apo krimi i organizuar.
Kjo është e ardhmja që të gjithë shqiptarët meritojnë.