Finalja e “Europa League” për këtë edicion do të jetë e gjitha angleze, pasi Chelsea dhe Arsenal do të përballen me njëri-tjetrin, në Baku, më 25 maj, por do të ketë edhe “inteferim” të dukshëm italian. Në fakt, futbolli i Italisë do të përfaqësohet në këtë finale jo vetëm nga Maurizio Sarri, Zappacosta, Emerson Palmieri dhe Jorginho, por edhe nga pothuajse i gjithë ekipi i gjyqtarëve.

UEFA, përmes faqes së saj zyrtare, ka njoftuar se kjo ndeshje do të gjykohet nga kryesori Gialunca Rocchi. Asistentët e tij do të jenë Meli dhe Manganelli, ndërsa i katërt do të jetë Daniele Orsato. VAR-i i besohet Massimiliano Irrati, me një tjetër italian në ndihmë, Marco Guida, si dhe polakët Szyomon Marchiniak e Pawel Sokolnicki.

Siç rikujtohet edhe nga qeveria europiane e futbollit, Rocchi ka qenë një arbitër ndërkombëtar që nga viti 2008 dhe gjatë këtij sezoni ka gjykuar gjashtë ndeshje të Ligës së Kampionëve. Për Rocchi do të jetë finalja e parë e “Europa League”. Në të kaluarën, “bilbili” italian drejtoi finalen e Superkupës Europiane, e cila në vitin 2017 pa përballë Manchester United dhe Real Madrid në Shkup.