Portugalia miraton bonus për mbi dy milionë pensionistë

Qeveria portugeze ka miratuar një paketë mbështetëse prej rreth 800 milionë eurosh, e cila përfshin pagesa shtesë për pensionistët dhe ulje të tatimit mbi të ardhurat personale.

Mbi dy milionë pensionistë, me të ardhura mujore bruto deri në 1.600 euro, pritet të përfitojnë një pagesë të jashtëzakonshme gjatë muajit dhjetor. Sipas planit, pensionistët me të ardhurat më të ulëta do të marrin deri në 200 euro, ndërsa kategoritë e tjera të përfshira në skemë do të përfitojnë pagesa më të vogla, deri në 100 euro.

Vetëm fondi i parashikuar për pensionistët arrin në rreth 400 milionë euro. Një shumë tjetër prej 400 milionë eurosh do të përdoret për uljen e tatimeve për qytetarët me të ardhura vjetore deri në 43.090 euro. Uljet do të llogariten nga janari dhe pritet të ndihen në të ardhurat e qytetarëve duke filluar nga nëntori.

Kryeministri Luís Montenegro deklaroi se masat synojnë të lehtësojnë pasojat e rritjes së kostos së jetesës, duke ruajtur njëkohësisht qëndrueshmërinë e financave publike.

Paketa duhet të marrë edhe miratimin parlamentar, por pritet të sigurojë mbështetje të mjaftueshme nga partitë politike.