Një vajzë merr përdore Zotin e verbër
Të përzënë nga shtëpia e njeriut
Prej Adamit e Evës
Ja tregon dherat e muzgut dhe e pyet:
Bablok,më mirë të bësh një poç vere me këto dhera,
A një njeri prej balte
Si njeriu yt i Zanafillës ?
Pik,bien skifterët prej qiellit jetim
E ua hanë këngën zogjve të dritës
Vajza ecën përjetësisht drejt muzgut
Në kërkim të tokës
Ku Zoti mori dheun
Me të cilin krijoi njeriun e parë…
Imzot,pse Zoti gjithmonë është burrë?
Më trego tokën ku të marr dheun
Me të cilin të krijoj një perëndeshë,
Të të martoj ty me të
E të lindni njeriun e munguar !
Pik,bien skifterët prej qiellit jetim
E ua hanë këngën zogjve të dritës…