Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate, i mbështetur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe partitë e tjera të koalicionit qeveritar, dhe Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së do të përballen në balotazh më 5 maj, pas një rezultati të ngushtë në zgjedhjet presidenciale të së dielës në Maqedoninë e Veriut.

Stevo Pendarovski
Kur janë numëruar mbi 99 për qind të votave, Stevo Pendarovski, prinë me 42.84 për qind, ndërsa Gordana Siljanovska Davkova, ka fituar 42.24 për qind të votave.

Gordana Siljanovska Davkova
Blerim Reka i mbështetur nga partitë shqiptare të opozitës Aleanca dhe Lëvizja Besa, ka fituar 10.57 për qind të votave.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në zgjedhje morën pjesë 41.9 për qind e votuesve të regjistruar.

Rezultati i ngushtë i dy kandidatëve që do të përballen në raundin e dytë është pasqyrim i dallimeve të thella rreth marrëveshjes që qeveria e kryeministrit Zoran Zaev arriti me Greqinë për emrin e Maqedonisë së Veriut, një marrëveshje që u kundërshtua nga VMRO-DPMNE.

“Jam i bindur se në raundin e dytë do të kemi një president evropian për shtetin tone”, tha kryeministri Zaev të dielën mbrëma.

“Ne fituam”, tha ndëraq Hristijan Mickoski, udhëheqës i VMRO-DPMNE-së në opozitë që mbështeti zonjë Siljanovska-Davkova.

Procesi u vëzhgua nga rreth 3 mijë e 100 pjesëtarë të organizatave vendase dhe 419 vëzhgues të huaj, prej tyre më së shumti nga OSBE-ODIHR, ndërkohë që Ambasada amerikane pati 42 vëzhgues.