Rifilluan punimet në rrugën Deçan-Plavë

Deçan, 24 prill 2018: Sot u inaugurua në Grykën e Deçanit fillimi i punimeve të rrugës Deçan-Plavë (Kosovë-Mali i Zi) rrugë kjo që e lidhë rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë, e cila do të ketë impakt pozitiv për zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe (çuditërisht) duke mos cenuar asnjëherë integritetin e Manastirit të Deçanit.

Ndërtimi i kësaj rruge pritet të përfundojë në vitin 2020, ndërsa për këtë vit Ministria e Infrastrukturës ka ndarë rreth 4 milionë euro.

 MINISTRI I INFRASTRUKTURËS, PAL LEKAJ:

 “Sot është një ditë e veçantë pasi që na u ka dhënë rasti që të lidhim korridoret, dhe që të lidhet Deçani, Kosova me Malin e Zi, e sidomos me atë pjesë që banojnë shqiptarët. Nuk ka ndjenjë më të mirë kur ne jemi në shërbim të qytetarëve, në shërbim të lëvizjes së lirë, në shërbim të investimeve, zhvillimit të turizmit dhe kjo rrugë ka impakt pozitiv shumëdimensional… Unë jam i vendosur që këtë rrugë ta çojmë deri në fund”.

 “Investimi është diku 4 milionë që i kemi ndarë për këtë vit, por që priten që në vitin 2019 diku edhe 8 milionë euro. I tërë projekti do të përfundojë në vitin 2020”, bëri të ditur ai.

 Efektet e rrugës Deçan-Plavë, sipas ministrit Lekaj, do të vërehen edhe në zhvillimin e turizmit dhe lehtësimin e transportit të mallrave.

KRYETARI I KOMUNËS SË DEÇANIT, BASHKIM RAMOSAJ:

Qytetarët e Deçanit e kanë pritur me padurim këtë rrugë, deri sa theksoi se kur flitet për të, flitet për potencialet më të mëdha që Republika e Kosovës ka. Gjithashtu, ai ka sqaruar se me ndërtimin e kësaj rruge nuk është cenuar integriteti i Manastirit të Deçanit dhe çdo gjë do të shkojë sipas procedurave të rregullta ligjore.

 “Qytetarët e Deçanit e kanë pritur me padurim këtë rrugë sepse kjo ndikon në zhvillimin ekonomik, ndikon që qytetarët e këtij vendi të kenë shpresë për të jetuar në këtë vend. Kur flasim për këtë rrugë, flasim për potencialet më të mëdha që Republika e Kosovës i ka e në këtë rast edhe qytetarët e Deçanit, që këto të mira me i shfrytëzu për ekonomitë e veta familjare. Njëkohësisht këtu e deri tek manastiri njihet si zonë e veçantë e cila është e trajtuar me ligj. Në ndërkohë këto procedura kanë për të vazhduar duke u respektuar normat ligjore. Nuk e kemi cenuar integritetin e Manastirit të Deçanit sepse ka qenë shqetësim edhe i ambasadave edhe i institucioneve relevante ndërkombëtare dhe të Kosovës. Dhe krejt çka po duam të bëjmë është të jetojmë më mirë, po dojmë të kemi perpektivë zhvillimore për këtë qytet”.

Këtë fillim e vlerësoj shumë të mbarë, fillim i mirëpritur nga populli mirëpo shumë gjatë kemi pritur ne për këtë punë. Kjo është një kënaqësi për popullin dhe për 32-34 fshatra që kanë qasje në këto bjeshkë”, tha ai

Ndërsa qytetarët të cilët kishin ardhur për të parë nga afër dhe për të shijuar fillimin e punimeve në kilometrin e 6 të rrugës Deçan – Plavë shprehën mendimet e tyre lidhur me këtë çështje.

 Ndërtimi i rrugës Deçan – Plavë pritet të përfundojë në vitin 2020.