( Operacioni i mbledhjes së armëve,28 shtator 1946)
Nga Dodë Progni – historian
Ishte 28 shtatori i vitit 1946. Ne Nikaj-Mertur kjo eshte një date e shenuar pasi festohej nata e Shen Mehillit. Ndër shekuj nikajmerturesit e kan pritur me gëzim këtë natë të madhe. Me këtë rast nepër kullat malesore piqeshin feligjet në hell,pihej vene e raki dhe jehonte kënga me lahute e çifteli. Si nje nga ditët e festave më të rëndësishme katolike kjo natë krijonte kudo atmosferë festive dhe gëzim.
Mirpo,28 shtatori i vitit 1946 ishte më i veçanti i të gjitha kohërave. Ai, u kthye në një nje ditë ankthi, frike e terrori për të gjithë krahinën .
Qysh një natë më parë,krahina ishte rrethuar nga forca të shumta ushtarake komuniste. Në dhjetra pika ishin vendosur grupe njerëzish të armatosur që kontollonin çdo kalimtar.Në Nikaj-Mertur ish qit kushtrimi që të mblidheshin të gjithë burrat e krahinës nga 16 deri në 70 vjeç tek Kodra e Bek Selimit që ish vendi i tradicional i kuvendeve të fisit të Nikajt. Aty ishte një lendinë e gjelbëruar e cila nga ana jugprendimor, jo më shumë se 2-3 qind metër larg ishte komanda ushtarake e operacionit.Ndërsa në anën lindore ajo përfundonte me një rrepirë që zbriste thikë deri në breg të lumit të Zi, rreth 600-700 m.lartësi. Edhe kjo fushëz që rrethuar nga forca të shumta të armatosura. Njerëzit që vinin nga fshatëra e dejtime të ndryshëme, një nga një ose grupë grupe të vogla, futeshin brenda atij rrethimi të hekurt nga ku nuk guxonin të dilnin më për asnjë arësye. Kurrë malësorët e kësaj krahine nuk kishin përjetuar një poshtërim të tillë. Ata ishin futur si në një vathë të madhe rrethuar nga njrëz të armatosur më keq se të ishin kafshe të egra ose robër luftë.
Pasi qenë grumbulluar të gjithë burrat e krahinës reth 1000 të tillë,e mori fjalën komandanti i operacionit – major Musa Daci.Një burr me trup mesatar me nje fytyr të kuqremte e sy që shprehnin urrejtje.Me një të folur jugor të shpejt, të shkurtër dhe kercënuese tha: “Ju kemi thirrur për të dorëzuar armët. Ne e dimë se shumica nga ju keni armë.Jo nga nje e dy,po nga tre e katër copë. Emrat dhe numrin e armëve që ka secili prej jush ne e kemi të regjistruar prandaj të mos përpiqet askush për t’i mbajtur të fshehura. Dhe dijeni,- shtoi majori me mllef, – sot është dita jonë. Kemi ardhur të marrim armët me të cilat ju na keni qelluat në Qafë të Kolçit.Tani e tutje ju nuk do të keni më armë në duar, sepse ato do te perfundojne ne magazinat tona”.
Vërtëtë,në nentorë të vitit 1944, i gjithë Nikaj-Merturi i madh e i vogël, nën thirrjen kushtrimtare: “Ooo Hiq kushtrim se ra komunizmi serb!” u kishin dal përballë forcave partizane të Brig. VI S në Qafen e Kolçit dhe tek lumi i Merturit, i kishin zbrapsur ato, dhe vetem pasi kjo brigatë mori në përforcim Brig. e XXV S, të dyja së bashku, kishin arritur të pushtojnë krahinën.
Tani forcat komuniste nën pretekstin e mbledhjes së armëve kishin vendosur të hakmerreshin kundër kësaj popullsie “rrebele”.
Pas këtyre fjalëve kërcënuese në logun e burrave ra heshtja. Malësorët gjëndeshin në një situat tepër të vështirë. U kërkohej gjëja më e shtrenjtë për ta, armët.Armët për malësorët kishin qenë nder dhe kult. Kurrë nuk i kishin dorzuar ato.As turkut,as shkaut,as italianit,as gjermanit as kerkujt,sepse ato kishin qenë garancia e ekzistencës së tyre,pjesë e qenjes së tyre.. Po, në të vertetë as shumë armë malësorët nuk kishin. Pjesa më e madhe e tyre nuk kishte asnjë armë.Dihet se malësori e ka siguruar armën me shumë mundime.Shumkush ka shitur edhe kaun e kularit për të blerë një pushkë. Me një fjalë,si ata që i kishin,si ata që nuk i kishin armët gjendeshin përpara një prove tepër të vështirë. Ndaj heshtja vazhdoi gjatë.
Major Musai dhe ndihmesi i tij,ekzekutori Xhemal Selimi mezi po e duronin këtë hështje,që për ata “përkthehej” kundërshtim. Armëët! Bërtiti majori. Dorzoni armët se ndryshe do ta keni keq.Nuk keni nga ja mbani! Dhe me nje herë nxorri një listë nga xhepi.
Fetë Sadiku ! –thirri ai me zë të larte.Ti ke tre pushkë prandaj kërkojmë që t’i dorzosh pa një pa dy. Feta, një nga burrat me te njohur të krahinës,i një familje nacionaliste që kish nxjerr luftetare trima e prijes popullor brez pas brezi gjatë luftërave për lrinë e pavarësisne e Shqipërisë, u ngrit në këmbë dhe tha: Për këtë tokë dhe për këtë qiell nuk kam asnjë armë o zotni komandant.
Armët! Armët! Duam në, jo fjalë e bëtime – gerthiti majori,dhe iu drejtua xhelatit Xhemal, që e kishte diku pranë : “Xhemal! Merre me vete këtë armik!“
Xhemali,me një hap të shpejte iu drejtua Fetës,të cilin e nxorri nga grumbulli dhe e vuri përpara tytës së automatikut për ta dërguar drejt rrëpirës. Sapo bëri 10 hapa majori thirri dhe një herë me zë të fuqishëm,Xhemal!! Pa i dhënë kurrfar përgjigje, brenda disa sekondave Xhemali zbrazi një krehër automatiku mbi shpatullat e Fetës duke e lënë të shtrirë për tokë në një pëllg gjaku që rrodhi për disa minuta. Sapo zbrazi automatikun, Xhemali e hoqi nga automatiku krehërin, i futi një tjetrën, ndersa me të boshatisurin filloi të thyentë arra duke i shtypur mbi qyten e automatikut.
Ashtu duke u përtypur dhe duke buzqeshur,u kthye tek majorit i cili thirri emrin e vellait të Fetës, Adem Sadiku!
Ja ku e ke vëllain të vdekur.Në se nuk don qe dhe ti te vdesësh si ai,dorzo armët! – i tha Majori. “Pasha një Zot që asht në qiell, – tha Ademi, për të gjitha armët që ka bota atij vllau nuk ja kisha marr shpirtin! Por atij ja morët shpirtin sepse nuk kemi asnjë armë more burra”.
Majorit nuk i hyri asgjë në vesh, por urdhëroi Xhemalin ta merrte dhe këtë!
Xhemali ashtu si Fetën,e mori përpara,i vuri grykën e automatikun midis shpatullave,dhe e nisi drejt rrëpirës. Ndryshe nga ç’kish vepruar me Fetën,Ademin e dërgoi deri tek rrëpira,dhe futi në tatpjetën e saj. Pasi trupi e tij u zhduk nga shikimi i grupit të njerëzve të tubuar, Xhemali zbrazi një krehër automatiku në drejtim të tij. Atje, Ademin e moren ca partizan, i lidhen duart dhe nga një rrugicë e largët e ngjiten tek posta pa rënë në sy të njerëzve të tubuar. Për sytë dhe gjykimin e të tubuarve edhe Ademi ishte pushkatuar.
Pasi u kthye Xhemali, majori që mbante listën në dorë thirri: Ukë Çuni! Uka u ngrit në këmbë dhe deklaroj se nuk kishte asnje armë. Dhe për kët Majori urdhëroi Xhemalin që ta merrte.
Xhemali ashtu siç kish vepruar me Feten, e nxorri nga turma, e nisi përpara dhe diku prane kufomës së Fetës zbrazi mbi krehërin e automatikut duke e lene edhe këtë përmbys në pellgun e gjakut të vet.
Pas këtij, majori thirri dhe ca emra të tjerë, te cilet nga që nuk dorëzuan armët, Xhemali i dërgonte tek rrëpira dhe pasi zbrisnin për të mos u dukur nga turma zbrazte “mbi ta” breshëritë e automatikut të tij,dhe kthehej duke ngrënë arra.
Madje,dy dite me pas, pasi kishte pushkatuar Dedë Mëhillin e Brashtës, mu në sy të turmës, kish nxjerr arrën nga xhepi dhe e kishte thyer mbi kokën e të vrarit.
Në këtë terror shnjerzorë që po përjetonin të tubuarit shumkush tha që e kishte armën dhe se do ta dorzonte një orë e mëparë.Madje njëri pre pjesemarresve, pasi ju kërkua nje pistoletë të cilën nuk e kishte,u detyrua të thoshte: “Po,e kam pistoletën dhe nesër do ua sjell në komandën partizane”. Pas mbarimit të tubimit ai kish udhëtuar për tetë orë, ku kish marr pistoletën e një të afërmi që e mbante të fshehur, dhe sipas premtimit e kish dorëzuar të nesërmen.
Kur ishin pushkatuar disa, madje dy prej tyre gjendeshin të shtrirë shumë prane tubimet Major Musai thirri: Zef Mark Alinë nga Perajt, të cilit ju kërkuan dy armë.
Pranë Zefit gjendeshin dhe katër vellezërit e tij: Ali, Martin, Marash dhe Gjon Mark Gjonpalaj. Zefi deklaroi se ai,as vëllezërit e tij nuk kishin asnjë armë. Por komunistët nuk i besuan.I kërkuan me insistim armët dhe e kërcënuan,se, për ndryshe – siç than ata, vëllai i madh do të pushkatohej. Pas thirrjes kërcënuese që vëllai i madh, të shkëputej nga turma për të shkuar drejt cakut të ekzekutimit, Zefi që ishte i madhi, hodhi hapin për t’u nisur drejt vdekjes. Por qysh në hapin e parë u dëgjua thirrja befasuese e vëllait të tij, Ali Marku i cili ish ngritur në këmbë,në mesin e atij tubimi burrash, dhe me zë të lart e të vendosur thërriste: “Ai nuk është vëllai i madh.I madhi jam unë,prandaj më takon mua të shkoj atje ku po urdhëroni të shkojmë”.- dhe u nisën drejt cakut të vdekjes. Papritmas u dëgjua zëri i vëllait tjetër Marash Marku i cili tha pa ju dridh çerpiku: “Asnjëri prej tyre nuk është i madhi. I madhi jam unë,prandaj mua më takon të pushkatohem”. Zefi vazhdonte të kundërshtonte deklarimet e vëllezërve dhe me shpejtësi po i afrohej cakut të vdekjes.Pas këtij debati midis vëlezërish e midis trimash të vërtetë që zgjati disa minuta dhe i habiti të gjithë pjesëmarrësit,ku secili prej vëllezërvë ishte i gatshëm të jepte jëtën për të shpëtuar jëtën e vëllait të tij , Zef Marku , këmbëngulës arriti i pari tëk “gijotina” dhe sapo hyri poshtë rrëpirës xhelati Xhemal Selimi si zakonisht zbrazi “mbi të” krehërin e automatikut.
Në të vërtetë Zefi dhe të gjith ata që ishin “pushkatuar” tek rrëpira kishin shpëtuar,dhe të nësërmën u lan të lirë të shkonin nepër shtëpitë e tyrë.
Kështu mbaroi operacioni i dorzimit të armëve në Nikaj-Mërtur.
Ai mbeti në kujtesën e malësorëve ,për të mos u harruar kurrë,,jo vetëm pë terrorin e egër komunist,që u ushtrua,po dhe për atë akt të pa shembullt, ku u demostrua me të gjithë madhështinë e vet burrëria,trimëria dhe dashuria vëllazërore.