Nga Isak Ramadani- Zeri i Amerikës
Referendumi i tridhjetë shtatorit në Maqedoni, që paraqet kusht për hapjen e dyerve të integrimit të këtij vendi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ka aktivizuar komunitetin ndërkombëtar, për t’i bindur votuesit e Maqedonisë se fati i vendit të tyre është në vetë duart e tyre. Nga ana tjetër, ndikimi dhe përzierja ruse kërcënojnë lënien në izolim të kësaj republike ish-jugosllave.
Shkupi është bërë në këto javët dhe ditët e fundit një qendër e vizitave të zyrtarëve të lartë evropianë dhe amerikanë, të cilët me çdo kusht duan t’ia hapin rrugën Maqedonisë për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe që të përparojë në proceset integruese drejt Bashkimit Evropian.
Por, për këtë, votuesit e Maqedonisë duhet të dalin në referendumin e 30 shtatorit, i cili vlerësohet si historik.
Ish-ambasadori Blerim Reka, vlerëson se prania e dendur diplomatike në Shkup ka për qëllim parandalimin e luftës hibride ruse në procesin e votimit në referendum pas përvojës së hidhur, siç thotë ai, në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara, në Francë, Gjermani e gjetiu:
“Besoj se diplomacia ndërkombëtare dha dy mesazhe kryesore në prag të referendumit. I pari është se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është shumë më i rëndësishëm se debatet për ndryshimin e kufijve në Ballkan. Dhe me këtë, konsideroj se është e qartë se në Maqedoni kryqëzohen dy korridore pan-evropiane, korridori 8, Durrës – Burgas dhe korridori 10, Budapestë – Athinë. Prandaj me anëtarësimin e Maqedonisë në NATO do të përmbyllet krahu jugor i NATO-s. Mesazhi i dytë është i brendshëm dhe ka të bëjë me mesazhin që u dërgohet si maqedonasve po ashtu edhe shqiptarëve. Për maqedonasit, anëtarësimi në NATO do të jetë sigurimi i ekzistimit të shtetit e për shaiptarët është realizimi i ëndrrës, si kombi më pro-amerikan në Ballkan, ku nëntëdhjetë përqind e shqiptarëve do të jenë nën ombrellën mbrojtëse të Aleancës Veriatlantike. Shqipëria është në NATO, shqiptarët e Malit të Zi janë në NATO, Kosova vërtetë nuk është ende por NATO është në Kosovë dhe me Maqedoninë në NATO dhe shqiptarët e Maqedonisë, do të rrumbullaksojnë në një mënyrë shumicën absolute të kombit shqiptar në NATO, përveç Luginës së Preshevës, por edhe ata së shpejti” – thekson Reka.
Profesori Reka thotë se janë të arësyeshme shqetësimet për ndikimin dhe përzierjen ruse në Maqedoni:
“Shpresoj se diplomacia ndërkombëtare e dha mesazhin e qartë se nuk do të lejojë përsëritjen e një 27 prilli (ngjarjet e dhunshme në parlament) në 30 shtatorin e ardhëshëm”, thekson ai.
Kancelarja Angela Merkel, Sekretari i Përgjithsëm i NATO-s, Stoltenberg, Ndihmës-Sekretari amerikan i Shtetit, Mitchell, Shefja e Bashkimit Evropian për Politikat e jashtme Mogherini , Kancelari austriak, Kurz, dhanë mesazhe të fuqishme, duke theksuar momentin historik para të cilit ndodhen qytetarët e Maqedonisë, duke u bërë thirrje atyre të dalin në referendum “sepse bëhet fjalë për fatin dhe të ardhmen e tyre”.
Por, të gjithë ata theksojnë kushtin kryesor: ndryshimin e emrit të Maqedonisë.
Shqiptarët e mbështesin pothuaj se pa rezervë referendumin, ndërsa tek një pjesë jo e vogël e maqedonasve, kryesisht përkrahës të politikanëve konservatorë, ekzistojnë dilema. Ata janë të frikësuar se identiteti kombëtar dhe gjuha maqedonase do të dëmtohen me ndryshimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Në referendum duhet të dalin mbi pesëdhjetë përqind e 1.8 milionë votuesve të regjistruar. 450 mijë duhet të votojnë pozitivisht në referendum që ai të jetë i suksesshëm.