Duar fatesh

 

Nga Rexhep Shahu

Gjethet e verdha si duar fatesh
Bien ngadalë në tokë
Shkojnë duke prekë nëpër dhimbje
Nga i çon era si emigrantët, nga i çon fati
Mbi ballin e tokës që digjet zjarrmie.

Gjethet e rëna – duar fatesh
Fillojnë të skuqen nga dhimbja
E pemëve të zhveshura që ngjajnë
Si prindër emigrantësh që enden nëpër botë
Prindër të shkretë – statuja ankthi.

Gjethet e verdha bëhën të kuqe
Nga dhimbja e tokës që s’do më varre gjethesh
Të kuqe toke si duart e varrmihësit
Që rregullon lulet e dheun mbi varre
Dhe u len shteg shpirtrave të ikin.

Gjethet e vjeshtës së vonë të fatit
I skajon era bri varreve, kur mbeten pa varr
Ndërsa shiu bie si gjak mbi to
Kujtimet çelin lule vjeshte.