ZEQIR HALILI I KRASNIQES

Nga Dodë Progni (Gazeta “Shkëlzeni”, gusht 1988)

avatar                                                                                        

                                                                                          Dodë Progni

U lind në Bujan të Malësisë së Gjakovës në vtin 1853. Jeta dhe veprimtaria e tij na shfaqet e lidhur ngusht me ngjarjet e mëdha historike që kaloi Malësia dhe gjithë kombi shqiptar gjatë kohës që jetoi ai (1853 – 1918). Vetëm 9 vjeç ishte,në vitin 1862, kur kullat e tij në Bujan përballuan gjylet e topave të Maxhar Pashës,dhe pa forcat osmane të zbrapseshin të shpartalluara nën goditjen e malësorëve trima,pa arritur të zbatonin reformat e tanzimatit. Në odën e kullës së tij trekatëshe ,ku gjyshi Binak Alia priste e përcillte shumë miq e shokë atdhetarë,mori mësimet e para mbi trimërinë,urtësisnë, besën e bujarinë shqiptare.Pa mbushur akoma tetëmbëdhjetë vjet,në një takim të përfaqësuesve të Malësisë me vezirin e Shkodrës,ai do të shprehte revoltën ndaj gjendjes së rëndë të malësorëve. Kërkesës së Vezirit: “për t’u treguar të bindur ndaj pushtetit qëndrorë”, Zeqiri i qe kundërvu duke i thënë: “Me e pas pasuninë tande që ti e derdhe dhe e len dam,unë e mbaj malësinë për dy vjet… Ti flet në emër të pasunisë, e une kam ardh këtu të flas si i pari i fukarasë”.Vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pjesmarrja në disa beteja që udhëhoqi ajo e burrëruan akoma më tepër,e brumosën me tiparet e një luftëtari të vendosur për çeshtjen kombëtare. Pjesëmarrja kundër forcave të Vesel Pashës (1885),në ato që udhëhoqi Lidhaj e Pejës “Besa-Besë” (1899 – 1903) dhe në disa kuvende të Llukës (1882-1908) e bënë atë një figurë të njohur jo vetëm në Malësi po edhe në Kosovë. Veçanarisht i rëndësishëm ishte roli i Zeqir Halilit në organizimin e udhëheqjen e malësorëve gjatë kryengritjeve të mëdha 1909 – 1912 ,të cilat çuan në fitoren e madhe historike të 28 nëntorit 1912. Rolin e tij të rëndësishëm, jo një herë do ta vinin në dukjë, epika historike dhe dokumentacioni e shtypi i kohës si,gazeta “Dielli”,”Shkupi”,”Korça”,’Drita” etj. Në betejat e përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërsë ai u lidh ngusht me masat popullore dhe kish formuar bindjen e patundur se,vetëm nepërmjet luftës me armë në dorë mundë të arrihej shpëtimi i Atdheut. Ndaj në pranverë të vitit 1912 ai së bashku me bashkeluftetarin e tij Niman Syla- oxhak i parë në fisin e Krasniqes,i shkruajn letër Ismail Qemalit ku midis tjerash i thonë: “Ismail Qemal Beut. Zotni! Ju falem me shëndet të gjithëve. Jemi tuj ndigjue se ju po përpiqeni për shpëtimin (selametin) e Atdheut. Zoti ju dhashtë jetë! Edhe ne nuk do ta përkulim kurrë qafën ndaj kësaj qeverie të poshtër. Mirpo vetëm një e katërta e popullsisë sonë asht e armatosun,edhe këta kan hallin e fishekve… Lavdi Zotit fuqia morale e popullit asht në rregull – aq sa ushtarët që ndodhen në llogore sulmojnë me sëpata. Prej jush kemi nevojë vetëm për disa gjana materiale. Këto janë armë,fishekë e pak harxhllek (të holla). E para nga këto janë armët…Mirpo që të mos na mbeten batall armët që kemi sot në dorë,lutemi të interesoheni me na dergue pak fishekë e harxhllek. Hallin tonë lutemi ja bani të ditun Evropës. Në qoftë e mundur ju lutem të vini ju vetë në Malësi; jetën tuaj jua sigurojmë me jetën tonë e me nderin tonë. Kemi shpresë të plotë që ju të na drejtoni… qysh do të ja shpallim botës së qytetnueme të drejtat tona. Ju po të deshironi,me emrin (famën) që keni fitue mundë të bëheni shkak që krejt Kosova me lidh një besë…” Zeqir Halili ishte një nga luftëtarët dhe prijësit e njohur,që së bashku me Hasan Prishtinën,Bajram Currin,Isa Boletinin,Bajram Daklanin,Niman Sylës etj.në pranverën e vitit 1912,udhëhoqën kryengritesit kundër forcave osmane në betejat e mëdha të qafës së Ramë Ahmatit dhe qafës së Prushit,fitorja e të cilave ,siç pohonte Hasan Prishtina,”i dhan shpirt e zemër krejt popullit,për të ecur guximshëm mbi Fushën e Kosovës”,deri në shpalosjen e flamurit të lrisë në Shkup me 14 gusht 1912. Edhe pas shpalljes së pavarësisë,ai u dallua si luftëtar i vendosur për mbrojtjen e shtetit të ri shqiptar dhe tërësinë tokësore nga sulmet e shovinistëve serbo-malazezë në vitet 1913-1915. Qëndrimin e vendosur kunërshtues ndaj grabitëqarve hileqar serbo – malazezë ai e kish shfaqur haptas qysh në vitin 1911. Kur Knjaz Nikolla u kish kërkuar disa përfaqësuesve të Kosovës e Malësisë,të dërgonte në Shqipëri ushtri malazeze,gjoja për t’i ndihmuar në kryengritjet antiosmane,Zeqir Halili,që përgjigjur prerë: “Jo Knjaz. Do të luftojmë pa ju. Ne nuk duam të heqim një samar e të vëmë një tjetër.” Në korrik dhe gusht 1915 ai ishe në krye te malësorve që luftuan kundës forcave serbo-malazeze të pushtimit në qafën e Morinës e kudo nepër Gash e Krasniqe. Me ato pak armë që kishin dhe në një varfëri të tejskajshme malësorët e Nikaj-Merturit, Gashit e Krasniqes nuk ua ndan pushkëm forcave pushtuese malazez deri sa në fillim të vitit 1916, i dëbuan nga Malësia duke ju dhënë mësimin e mirë, jo vetëm atyre po dhe Fuqive të Mëdha Europiane,se mlësorët e këtyre anëve nuk do të lejonin kurrë vendosjen e kufirit shqiptaro-serbomalzez në lumin Drin,siç deshironin ata. Zeqir Halili nuk u pajtua as me regjimin e pushtimit që vendosën forcat austro-hungareze gjatë viteve 1916-1818.Ai ju kundërvu veprimeve radikale dhe masve drastike që ushtarakët austro-hungarez ndërmorën kundër popullsisë malësore,siç ishin burgosjet intrnimet,turturat etj.Në mënyrë të veçantë kundërshtoi përpjekjet e pushtuesve për të mbjell përçarje ndërkrahinor. Ndaj në një mbledhje të gjërë,ku merrnin pjesë nga Gashi dhe Krasniqja,komandanti austro-hungarez duke ndjekur politikën e përçarjes tha: “Po ua jap dorën Krasniqes e jo Gashit”, (gjoja këta të fundit i njohim si më kundërshtar),Zeqiri i qe përgjigjur: “Gashi e Krasniqja janë si dy qè të një zgjedhe,që njëri pa tjetrin nuk ban.” Dhe i revoltuar shtoi: “As ne mos na jep dorën! Dhe dije se po nuk i lirove luzhjanët që i mban të burgosur, në t’errtë nata nuk të çel drita në Malësi!” Këtë qëndrim të rreptë dhe të vendosur, komandanti austro-hungarez nuk do t’ia falte Zeqir Halilit. Prandaj në një ditë gushti të vitit 1918,forcat ushtarake austro-hungareze të ndihmuar dhe nga mercenarë të shitur,pasi kishin ekzekutuar në bjeshkën e Policës dy nga burrat e njohur te Malësisë së Gjakovës,Bajram Manin dhe Bajram Nimanin, rethuan në bjeshkën e Gjarpnit të Bujanit Zeqir Halilin dhe e ekzekutuan atë me dy plumba në gjoks. Jeleku i tij ngjyrë vishnje,me dy vrima plumbash në anën e djathtë i cili ruhet në një nga vitrinat e muzeut historik të Tropojës,na sjell mesazhin e ati burri trim të Malësisë së Gjakovës, i cili na thotë: “Plumbat në gjoks i morëm,por vendin s’ja lëshuam askujt”.