LIRIA MBI LUFTËN DHE SAKRIFICËN E JASHARAJVE

 

Nga Harry Bajraktari- Nderi i Kombit

 

Para 20 vjetësh, në Prekaz Adem Jashari dhe Jasharajt tjerë në luftë kundër forcave ushtrake serbe, vendosën themelet e lirisë në Kosovë. Qendresa dhe sakrifica e Jasharajve, burra, gra dhe fëmijë, i teguan botës se liria është mbi të gjitha. Marsi i vitit 1998 hapi një faqe të re të historisë sonë kombëtare. Pas kësaj lufte heroike të komndantit legjendar Adem Jashari, radhët e UÇK-së u shtuan shumë shpejt në tërë Kosovën, në një luftë të ashpër kundër forcave serbe deri në çlirimin përfundimtar nga okupimi shekullor serb.
Një popull, siç jemi ne shqiptarët, i rrethuar me armiq të vjetër, e ka pasur të vështirë mbijetesën historike. Dhe, pas shumë përpjekjeve shekullore, fati ynë buzëqeshi me sakrifica të shumta, me mbështetjen parezervë të SHBA dhe të vendeve të Evropës Perëndiimore.
Sakrifica e Jasharajve, për liri është shembull unikat në botë.
Nuk ishte e rastit thënia e Bernard Kushnerit, administratorit të parë në Kosovë, pas luftës, se “Sikur të ekzistonte çmim nobël për liri, do t’ i jipej kësaj familje”.
Adem Jashari është simbol, identitet, krenari dhe mburrje për të gjithë ne.
Përherë duhet t’ i kujtojmë, t’ i nderojmë dhe respektojmë të gjithë ata që sakrifikuan dhe ranë për lirinë e Kosovës. Vetëm në këtë mënyrë mund të ecim përpara.
Vlerat e luftës respektohen vetëm me vlerat e ndërtimit të shtetit të ligjshëm, me vlerat demokratike dhe me integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO.

Harry Bajraktari,
New York, 2018.