CIKLI I KRESHNIKËVE NË GJYSMËN E DYTË TË SHEK. XX NË KRAHINAT E KUKËSIT

 

 

Nga Prof. dr.  Shefqet HOXHA – Mësues i Popullit

 

1.-
Gjatë gjysmës së dytë të shek. XX pata ndërmarrë disa ekspedita për të gjurmuar pasurinë e kulturës popullore në krahinat e Kukësit.[1] Në fshatrat e Lumës, Hasit, Malziut e Fandit të Mirditës pikasa edhe bartës të epikës legjendare dhe shënova prej tyre këngë të Ciklit të Kreshnikëve dhe balada, si dhe tregime në prozë për bëmat e Mujit e të Halilit dhe të shokëve të tyre. Një pjesë të këtij materiali e botoi Instituti i Kulturës Popullore i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 1983 me titull “Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit”[2]; ndërsa këngët e mbetura dhe ato të mbledhura më vonë, u planifikuan të botohen në dy vëllime: “Balada popullore[3] dhe Cikli i kreshnikëve. Baladat kanë dalë tanimë, këngët e Ciklit po jepen në këte vëllim (mbi 50 njësi).

2.-
Cikli i Kreshnikëve në gjysmën e dytë të shek. XX ende ruhej e këndohej në krahinat e Kukësit, Has, Malzi e Lumë. Në këto treva, po ashtu, përdorej rrallë edhe lahuta, vegla muzikore që i shoqëronte këngët e këtij Cikli.[4] Në atë ndërkohë ende krahina e Hasit mund të çmohej si “zonë e gjallë” e Ciklit të Kreshnikëve, ndërsa poshtë Drinit të Bardhë e të Bashkuar tradita qe tejet e zbetë.
Hulumtimet që pata bërë në krahinat e Kukësit më ndihmuan të evidentoja repertorin e ruajtur të Ciklit të Kreshnikëve, temat, motivet dhe subjektet që i bartnin këto, por edhe të përvijoja veçoritë midis këtyre krahinave. Midis tyre shquhej Hasi – siç shënova më sipër – për traditën ende të gjallë dhe për pasurinë e ruajtur. Repertori i këngëve të ciklit ishte më i pasur në Has, më i pëlqyer nga banorët dhe vijohej të këndohej ende në mjedise të caktuara. Hasjanët kujtonin me dashuri emra rapsodësh që kishin bërë emër në atë trevë. Tematika e këngëve, shtjellimi i subjekteve, personazhet, trajta artistike dhe gjuha i afrojnë variantet e qëmtuara në Has më shumë me krijimet e Malësisë së Gjakovës e të Kosovës se me ato të zonës qendrore të truallit të këtij cikli, Nikaj-Mërturin.[5] Megjithatë, veç ndonjë tipari të veçantë krahinor, në thelbin e tyre, krijimet e qëmtuara në Has mbeten të përbashkëta për gjithë truallin ku shtrihet Cikli i kreshnikëve.
Në visin e Malziut pata regjistruar vetëm dy variante të Ciklit të Kreshnikëve, të shkurtra dhe me shtjellim të ngjeshur të subjektit.[6] Këto afroheshin me variante që janë mbledhur në perëndim të Malziut, Iballë e Pukë, ku jeta e ciklit ka qenë më e gjallë. Përndryshe, në katundet e bajrakut të Malziut gëlonin ende baladat.
Kërkimet që kemi bërë në Lumë, një krahinë relativisht e gjerë, na dëshmon një pasuri të madhe baladash, por një varfëri të ciklit të Kreshnikëve. Kemi regjistruar në disa katunde (Kollovoz, Novosej, Çajë, Matrangj-Bushtricë, Kalis, Ujmisht, Nangë, Tejdrine) të kësaj krahine këngë dhe tregime në prozë, gjithsej 17 njësi.[7] Këngët legjendare në krahinën e Lumës përcilleshin jo me lahutë, por me çifteli ashtu si baladat. Me fyell në këte krahinë është përcjellë balada e Tanës, e cila është qëmtuar këtu në dy variante: Kajka e Ftajrxherimes (Buzmadhe) dhe Lenë, e mjera Lenë (Shtiqën).
Në krahinën e Hasit patëm regjistruar 28 këngë[8] dhe 2 tregime në prozë.[9] Këngët janë shënuar në katundet Kostur, Helshan, Perollaj, Letaj, Golaj: tregimet në prozë vijnë nga Perollaj. Këngët e vjela në Has janë të bartura nga zonat e nxehta të Ciklit të Kreshnikëve, Berishë, Malësi e Gjakovës, Rekë, Malësi e Pejës. Këngëtarët e kësaj treve janë mëkuar me traditën e ruajtur të familjeve të tyre[10] ose i kanë mësuar këngët nga bartës të njohur në mjediset kullosore të Alpeve ose të rrethit të tyre miqësor.
Në Hasin brenda kufirit të 1913-ës, ku unë kam bubërruar për Ciklin, kemi pikasur banorë të fiseve Berishë, Bytyç, Gash, Hot, Kastrat, Krasniqe, Morinë, Shalë, Thaç,[11] të parët e të cilëve kur kanë zbritur këtu nga ato vise – siç duket – kanë sjellë me vete edhe traditën folklorike të tedelit nga vinin, e cila ka vijuar të gjallojë edhe në mjedisin e ri.
Rapsodi i njohur nga Letaj, Sedë Tahiri, më pat treguar më 1982: “Kangët për Mujin e Halilin kam nisë me i mësue qysh i vogël kur shkojshem me nanën te dajët në Devë të Hasit. Aty në vitet 30 (shek. XX) kishte shumë kangëtarë të njohun, ndër ta qe edhe daja im, Selman Jaha, me emën në Rrafsh të Dukagjinit”.
Një tjetër rapsod i njohur, bartësi më i mirë i këngëve të Ciklit në Hasin e këtej kufirit në gjysmën e dytë të shek. XX, Jemin Zeneli nga Perollaj, më pat thënë: “Kangët i kam mësue në të ritë, kur bashkë me shokë e veronim gjanë në bjeshkët e Nishtidinit (Pejë), Dobërdolit e Kushteticës nga kajkatarë të përmendun nga Malësia e Gjakovës, Rekës, Nikaj-Merturit etj.”
Edhe Zeqir Meshi (Kostur) këngët i kish dëgjuar në mjedisë bjeshkore (Dobërdol, bjeshkët e Gjarpnit, Maja e Hekurave etj.). dhe në ato vrritare të Kosturit. Ishte, pra, mjedisi bjeshkë-vërri që pat ndikuar në formimin e tij si rapsod i Ciklit të Kreshnikëve dhe i epikës historike.
Pas Luftës së Parë Botërore, kufiri i dhunshëm e ndau Hasin më dysh dhe ndërpreu marrëdhëniet ekonomike dhe shoqërore midis banorëve të dy anëve dhe kjo ndikoi edhe në varfërimin e traditave të hershme folklorike, gjegjësisht edhe të Ciklit të Kreshnikëve.
Në krahinën e Lumës dy bartës të njohur të folklorit, Sulejman Toçilla (Novosej) dhe Adem Xhepa (Nangë), janë formuar si tregimtarë nën ndikimin e traditës kosovare. Sulejman Toçilla në vitet 20 (shek. XX) kish punuar si bari në Kosovë dhe atje kish përthithur këngë e tregime nga Adem Shabani i Gllobodarit dhe Sadik Petrova i Reçakut të Shtimes, ndërsa Adem Xhepa (Nangë) nga një podrimas i ikur familjarisht nga vendlindja në fillim të viteve 20 (shek. XX) që qe strehuar në Nangë.[12] Përndryshe, Idriz Shuti i Shëmrisë (Malzi) trashëgonte këngët që i kish mësuar nga i ati, Baftiu.[13]
Tematika e këngëve, personazhet dhe toponomastika nuk i japin një vend të veçantë Hasit në Ciklin e Kreshnikëve. Veç ndonjë elementi gjuhësor, këngët (variantet) e Ciklit në Has nuk sjellin ndonjë element të ri, ato janë të bartura këtu të rrudhura, ndonjëherë edhe të shformuara. Si tjetërkund edhe në visin e Hasit këngët e Ciklit përshkohen tej e ndanë nga antagonizmi midis Jutbinës e Glladushës. Trimat e këtyre dy qendrave janë në armiqësi të përhershme për kullotat, si dhe për femra martesa. Mllefin ndaj njëri-tjetrit e shprehin në dyluftime që fitohen herë nga njëra anë, herë nga ana tjetër, ku ndërhyjnë shpesh edhe orë e zana.
Veç dy trimave të Jutbinës, Mujit e Halilit, gëlojnë edhe plot e plot personazhe të tjera, arnautë e shqé, të përmendur gjithandej në këngët e Ciklit të Kreshnikëve. Përmenden më shpesh Ali Baraktari, Dizdar Azman aga, Dylberja (Gjelina), Galan Kapetani, Krajl Kapetani, Krajli i Kotorrit, i Talirit, i Miskovit, i Bagdatit, i Sejës), Millosh Kapetani, Tollushe Devojka, Tomë Baraktari, Xhure Harambashi (Kapetani), Zeçir Baraktari etj. etj. Vendet ku zhvillohen ngjarjet janë: Bjeshkët (e Klladushës, e Kotorrit, e Nalta, e Talirit, e Mdhoja, e Nalta), Bregi i Tunës, Çafat (e Çakorrit, e Zodorrit), Fusha (e Kotorrit, e Talirit), Glladusha, Gurrat e Bardha, Jutbina, Kisha (e Kotorrit, e Mejdanit), Kotorri, Krajlia, Maja (e Bjeshkës, e Kotorrit, e Naltë, e Talirit), Meçe e Vogël, Maxharria, Miskovi, Seja, Stamolli, Shehri (i Krajlit, i Sejs), Zahaçi, por asnjëri prej këtyre toponimeve nuk njëjtësohet në Has.
Vend më vete zen kënga Çika e Plake Jemin agës, një variant i Gjergj Elez Alisë.[14]
Këngët e Ciklit në Has nuk janë të gjata. Ajo me titull “Ali Baraktari merr Dylbere Gjelinën”, shënuar në Letaj më 1982 nga rapsodi Sedë Tahiri, ka më shumë vargje (409)[15]. Shumica e vargjeve janë të bardhë, por ka edhe të rimuar (rimë e puthur).
Tregimet në prozë të vjela në Perollaj (Has) flasin për fuqizimin e Mujit dhe për moçninë e tij,[16] ndërsa ato të vjelura në krahinën e Lumës (Novosej, Nangë),[17] megjithëse trajtojnë tematikën e këngëve të Ciklit dhe ruajnë emrat e disa personazheve[18], elemente të gjuhës artistike etj., shtjellimin e subjekteve e kanë përrallzuar duke gërshetuar bërthamën e subjektit me elemente që i përkasin këtij zhanri tregimtar.
Këngët e epikës legjendare që kemi pasë shënuar në Lumë nuk lidhen drejtazi me Ciklin e Kreshnikëve (këngët e Mujit e Halilit), por afrojnë me baladat. Këto mund t’i ndajmë në tri grupe:
a) Variante të këngës Gjergj Elez Alia: Jemin Plaki çka ish kanë (Kollovoz), çika e Jemin Agës (Novosej);[19]
b) Variante të këngës së Ferat Pashës: Motra liron vllaznit prej burgi (Kalis), Cuca e Ferat Pashës vret kralin (Matrrangj-Bushtricë), Ene moj Dudije, e zeza Dudie (Topojan);
c) Tradhëtia e motrës: Halili i Vogël (Çajë), Brahim Keta (Tejdrine), Brahim Keta i Ri (Ujmisht).
Po ndalemi vetëm në nënndarjen e dytë, ku përfshihen dy këngë: “Motra liron vllaznit prej burgi dhe “Cuca e Ferhat Pashës vret kralin”.
Ferhat Pasha që përmendet në të dy këngët është një person historik. Ka jetuar në shek. XVI. Nuk njohim vitin e lindjes, por dimë atë të vdekjes (1595). Dy herë ka qenë vezir i madh i Perandorisë Osmane (1591-1592 dhe 1595)[20] dhe me një aktivitet të gjerë ushtarak,[21] i njohur në visin e Lumës, pse nga kjo krahinë. Qe bashkëvendës dhe bashkëkohës i Sinan Pashë Topojanit, pesë herë Vezir i Madh i Perandorisë Osmane, madje kushëri (por edhe armik) i tij.[22] Qe nga fshati Topojan i Lumës. Emri i tij dëshmohet edhe në kadastrën osmane të kohës,[23] prandaj qe ruajtur në kujtesën e popullit të visit. Të gjitha këto na ndihmojnë të përcaktojmë tedelin e dy këngëve (Lumë) dhe kohën e krijimit të tyre (shek. XVI-XVII), që – sigurisht – kanë evoluar më vonë.
Dy këngët e Malziut (Muja pret Krale Kapetanin, Hasan aga i Ri vret balozin), janë në shtratin e Ciklit të Kreshnikëve, e dyta ngjan të jetë një variant i rrudhët i Gjergj Elez Alisë prej 98 vargjesh.
Dhe në fund pak fjalë për rapsodët prej të cilëve kemi mbledhur këngët e epikës legjendare në krahinat e Kukësit në gjysmën e dytë të shek. të kaluar. Më të njohurit prej tyre janë: Jemin Zeneli (Perollaj), Zeqir Meshi (Kostur), Sedë Tahiri (Letaj), Idriz Shuti (Shëmri), Sulejman Toçilla (Novosej), Adem Xhepa (Nangë), katër të parët si bartës të njëmendët të Ciklit të Kreshnikëve, formuar në mjedise familjare, miqësore ose shoqërore gjatë verimit të tufave të bagëtive në kullotat e Alpeve të Veriut, (bjeshkët e Nishtidinit, Dobërdolit, Kushteticës, Gjarpnit, Majës së Hekurave etj.). Këta rapsodë, veç këngëve të epikës legjendare, dinin e këndonin edhe këngë historike dhe lirike. Rapsodët Jemin Zeneli e Idriz Shuti i binin lahutës, ndërsa Zeqir Meshi e Sedë Tahiri qenë mjeshtër të çiftelisë dhe të fyellit, por jo të lahutës.
Bartësit lumjanë të epikës legjendare, Sulejman Toçilla e Adem Xhepa, janë mëkuar me traditën kosovare, i pari në rrethet e Prishtinës e të Shtimjes, i dyti në vendlindje nga një emigrant podrimas i strehuar aty. Sulejman Toçilla ishte edhe këngëtar i njohur, ndërsa Adem Xhepa tregimtar i shquar.[24] Të dy i binin fyellit e çiftelisë.

PËRFUNDIME

1.- Ende në gjysmën e dytë të shek. XX në krahinat e Kukësit (Has, Malzi, Lumë)[25] ishte i gjallë Cikli i Kreshnikëve: në Has dhe në Malzi kishte bartës dhe këngëtarë të këtij Cikli, ndërsa në Lumë bëmat e Mujit e të Halilit tregoheshin në prozë. Në Has e në Malzi, ruhej e përdorej ende në disa mjedise vegla muzikore tradicionale, lahuta, por disa rapsodë i shoqëronin këngët e tyre me çifteli. Në Lumë lahuta kish përfunduar në një relike që qe shfaqur në ndonjë festival folklorik si element i sforcuar, jo i natyrshëm për kohën.
2.- Në krahinën e Lumës Cikli i mirëfilltë i Kreshnikëve në gjysmën e dytë të shek. XX ishte në grahma të fundit, por elemente të epikës legjendare dhe baladat, sidomos këto të fundit, ende mbijetonin dhe këndoheshin edhe në mjedise femërore. Në këte vis jetonin dy tregimtarë brilantë që shpalonin në prozë bëmat e Mujit e të Halilit, si dhe disa rapsodë që këndonin me çifteli motërzime të Gjergj Elez Alisë, tradhtinë e motrës dhe cucën e Ferat Pashës, të cilën e konsideroj me tedel vendës krijuar në shek. XVI-XVII.
3.- Kontaktet me rapsodët dhe materialet e mbledhura në terren na dëshmojnë se këngët e Ciklit të Kreshnikëve, si dhe tregimet në prozë për bëmat e Mujit e të Halilit janë të bartura nga zonat e nxehta të epikës legjendare: Malësia e Gjakovës, Reka, Malësia e Pejës, Rrafshi i Dukagjinit. Rapsodët hasjanë janë formuar gjatë kontakteve me barinjtë e atyre viseve në bjeshkët e Dobërdolit, Gjarpnit, Majës së Hekurave, Kusheticës, Nishtidinit (Pejë) etj.

________________________________
BIBLIOGRAFIA

* Instituti i Folklorit – Folklor shqiptar. Proza Popullore, vëllim i dytë, Tiranë 1966.
* Fatos Arapi – Këngë të moçme shqiptare, Tiranë, 2007.
* Qemal Haxhihasani – Folklor Shqiptar, Tiranë, 1977.
* Qemal Haxhihasani – Rezultatet e kërkimit të Ciklit të Kreshnikëve pas Çlirimit, në librin “Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike (15-21 nëntor 1962), Tiranë, 1965, f. 322-328.
* Qemal Haxhihasani – Epikë legjendare. Vëll. 2, Tiranë, 1983.
* Shefqet Hoxha – Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë, 1983.
* Shefqet Hoxha – Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit, II, drshkr.
* Shefqet Hoxha – Fjalë e shprehje nga krahina e Hasit, Tiranë, 2007.
* Shefqet Hoxha – Shqiptari Sinan Pashë Topojani, Tiranë, 2007.
* Zihni Sako, Q. Haxhihasani, Agim Fico – Folklor Shqiptar, Disp. I, II, Tiranë, 1984.
* Zymer Neziri – Epika legjendare e Rugovës, Prishtinë, 1997.

 

Referenca:

[1] Në gjysmën e dytë të shek. XX në rrethin e Kukësit bënin pjesë krahinat e Lumës, Hasit (katundet brenda kufirit të 1913-ës), Malziut (njëri prej shtatë bajrakëve të Pukës), Fandit të Mirditës dhe disa katunde të Gorës. Në vitin 1979 Fandi iu ribashkua administrativisht Mirditës, ndërsa Hasi në vitin 1993 doli rreth më vete.
[2] Në vëllimin “Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit”, Tiranë, 1983, janë përfshirë 40 njësi në poezi e prozë nga Cikli i Kreshnikëve dhe 33 balada: balada të murimit 6, balada të motrës me nëntë vëllezër 8, balada të rinjohjes 13, balada të vëllavrasjes 6, balada të ndryshme 4.
[3] Vëllimi “Balada popullore” u botua në vitin 2016.
[4] Gjatë kërkimeve të mia kam parë në Has një lahutë që përdorej nga këngëtari Jemin Zeneli (Perollaj) dhe një tjetër në Shëmri (Malzi) që e përdorte këngëtari Idriz Shuti. Në një festival folklorik të viteve ’70 të shek. të kaluar kanë kënduar me lahutë këngëtarët Myrtë Sefa (Topojan), Milaim Baftjari e Rahim Dani (Lojme). Ruhej një lahutë deri vonë edhe në shtëpinë e këngëtarit bician, Dalip Ramadani, prej të cilit pat vjelë një këngë të Ciklit folkloristi amerikan Lord (1937).
[5] Sh. Hoxha. Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë, 1983, f. 4.
[6] Këngët e titulluara: Muja pret Krale Kapetanin dhe Hasan aga i Ri pret balozin, u shënuan në Shëmri nga rapsodi Idriz Shuti (1978).
[7] Këngë: Jemin Plaki çka ish kanë (Kollovoz), Çika e Jemin Agës (Novosej), Halili i Vogël (Çajë), Motra liron vllaznit prej burgi (Kalis), Çika e Ferat Pashës vret kralin (Matrangj-Bushtricë), Brahim Keta (Tejdrine), Brahim Keta i Ri (Ujmisht), Ene moj Dudije, e zeza Dudije (Topojan); Tregime në prozë: Fuçia e Mujës, Arrnaut Osmani, Ali Baraktari, Fundi i kreshnikëve (1,2) – Novosej; Halili i Volë i del n’mejdan maxharrit, Muja shpëton Halilin, Halili pret kralin, Krale Kapetani merr motrën e Halilit Volë (Nangë).
[8] Bylykbashe Muja prêt Milloshe Pavlin (Helshan), Muji merr xhakin e Halilit (Kostur), Muji shpëton nusen e Ali Baraktarit (Kostur), Martesa e Osmanit të Mujës (Kostur), Halili shpëton Kunën e Mujës (Perollaj), Halili merr Begzaden e Vezirit të Rumelisë (Perollaj), Halili vret Galanin e shpëton Mujën (Kostur), Sokole Halili shpëton Mujën (Perollaj), Halili vret Krajlin e shpëton Mujën (Kostur), Sokole Halili merr Xhihanin e Bardhë (Perollaj), Sokole Halili pret Xhure Harambashin (Perollaj), Sokole Halili merr çikën e Krajlit t’Ugamanit (Helshan), Halili vret Zukun e merr Xhelinën (Letaj), Sokole Halili merr Dylberen (Kostur), Halili merr Dylbere Xhelinën (Kostur), Tale Butalina merr Dylberen e krajlit (Helshan). Martesa e Ali Baraktarit (Kostur). Ali Baraktari merr Dylbere Xhelinën (Letaj), Martesa e Ali Baraktarit me Dylberen (Perollaj), Ali Baraktari merr Dylberen e Krajlit (Perollaj), Shka kish ba Ahmet aga i Ri (Perollaj), Muja shpëton Ymer Bajraktarin (Perollaj), Muja pret Behull Kapetanin (Perollaj), Zeçir Baraktari merr Dylberen e krajlit (Perollaj), Çika e Plake Jemin agës (Perollaj), Shka ka ba Arnaut Osmani (Kostur); Muja, Halili e Aga Hasan agë (Kostur), Muja e Halili zanë dy çikat e Krale Kapetanit (Kostur).
[9] Fuçia e Mujës (Perollaj), Fundi i kreshnikëve (Perollaj)
[10] I kanë mësuar këngët në mjedisin familjar ose shoqëror nga katundarë ose krahinarë.
[11] Berishë: Krumë, Perollaj; Bytyç: Mujaj, Cahan, Qarr; Gash: Mujaj, Kishaj, Meteliaj; Hot: Qarr; Kastrat: Krumë, Pus i Thatë, Brrut, Golaj; Krasniqe: Krumë, Mujaj, Qarr, Vlahën; Morinë: Krumë, Gjinaj, Pus i Thatë, Metaliaj, Kostur, Helshan, Perollaj; Thaç: Krumë, Mujaj, Kishaj, Helshan, Vlahën.
[12] Prej Sulejman Toçillës kam vjelë shumë këngë historike e balada, por edhe një motërzim të shkurtër të rapsodisë “Martesa e Ali Baraktarit” (77 vargje) si dhe disa tregime: Fuçia e Mujës, Arnaut Osmani, Ali Baraktari, Fundi i kreshnikëve, Muja vret shtatë kralat. Nga Adem Xhepa pata vjelë në vitin 1958 shumë përralla e katër tregime nga Cikli i Kreshnikëve: Halili i Volë i del n’mejdan maxharrit, Muja shpëton Halilin, Halili pret kralin, Krale Kapetani merr motrën e Halilit të Volë.
[13] Idriz Shuti dinte mbi dhjetë këngë të Ciklit, por unë arrita të shënoj vetëm dy: Muja pret Krale Kapetanin (93 vargje) dhe Hasan aga i Ri vret balozin (98 vargje)
[14] Q. Haxhihasani, Folklori Shqiptar, Tiranë, 1977, f. 76.
[15] Shih, Epikë Legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë, 1983, f. 100-110.
[16] Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë, 1983, f. 180-181, 202.
[17] Shih te nr. 7 tregimet në prozë.
[18] Ndër personazhet e njohura të Ciklit të rimarra në këto tregime janë edhe Muja, Halili i Volë, Arnaut Osmani, Ali Baraktari (ose Kreshnjakit), Krajl Gajlani, Tale Butalija, Imer Begji, Hajkuna, Krale Kapetani. Përmenden edhe Didili (kali i Mujës), Glladusha.
[19] Një variant i kësaj kënge është edhe në Perollaj (Has). Shih nr. 14.
[20] Më 1591-1592 ka qenë 8 muaj e 3 ditë, më 1595-4 muaj e 19 ditë.
[21] Sh. Hoxha, Shqiptari Sinan Pashë Topojani (Qëmtime historiko-etnologjike për Lumën e Gorën), Geer, Tiranë, 2007, f. 29-31.
[22] I. Jastrebovi ka shkruar se Ferhat Pasha qe “plemnnik” (djalë vëllau a djalë motre) i Sinan Pashës, ndërsa – sipas H. Kaleshit – “ishte fara e tij”.
[23] I biri i Ferhat Pashës, Mehmeti, qe pronar i një zeameti në Topojan dhe i një tjetri në fshatin Mirëz të Pashtrikut. (Sh. Hoxha, po aty, f. 29).
[24] Prej tij janë regjistruar mbi 40 përralla, një pjesë e të cilave janë botuar në vëllimin “Folklor Shqiptar, I, Proza Popullore”. Vëllim i dytë. Botim i Institutit të Folklorit, Tiranë, 1966, f. 473-544.
[25] Për krahinat e Kukësit shih nr.1.