Nga Qazim SHEHU – Tiranë
Himn i turbullt
Kur bie nata e zbardh agimi
Ndjej befjen e një himni,
Një himn i ajërt pa bujë,
Kur ngjyrat përzihen me ujë.
Më kap një dalldi e madhe
Si të shkel në pragje ideale,
Pa arritur atë që s`di
Atë s`e di kur arrij.
Atë që mundem kur më shtyjnë
Drejt të keqes me tym.
Ndjej një himn virtuoz
Që shtyn dëshirat në mos.
Rendit ëndrrat në pasaktësi,
Saktësinë zhvesh në amulli.
Himn i fjetjes dhe i zgjimit
E ndjej e shoh dhe e dua,
Kur më godet në gjoks,
Si sonambul më shëtit mua
Nëpër qartësi e kaos…
Ndizet hija e pritjes
Ndizet hija e pritjes në letër
Sikur letrën do ta djegë,
Më dhimbsen fjalët shkrumb,
Pa to mbetem shterp.
Ndaj e shmang me kujdes
Gjithnjë duke iu lutur,
Ajo herë bëhet re,
Herë hije që vjen duke ndukur.
Herë merr rëndesë guri
E herë pupël zogu bëhet,
Kështu me hije qëkuri
Trishton e afrohet.
Të ruaj të paktën ca fjalë
Nga ky rrafshim i hijes,
Që t`ia zbukuroj me mall
Një kurorë besimi pritjes.
Thikë e hënës
Në këtë natë të ciflosur
Natë të thyer,
S`vjen asnjë ndjenjë
Brengën për të ngjyer.
Hëna në mill të reve
E fut thikën,
E,… zhdukjes së një brenge
S`mund t`ia vesh pikën.
Kafshatën e saj
Do ta ha të fortë,
Në grykë do më ngelet
Pa Golgotë …
Festa
Mbaroi festa,ikën të gjithë.
Për një orë u tulatën mangësitë.
Plagët, mungesat, dështimet.
Autoritetet në tribuna
I përkundëm me duartrokitje.
Tani ku do shkojmë s`e dimë
Me duart plot nga festa,
Ndoshta të rrisim një premtim
Deri sa të vijë tjetra…