KUJDES! KËSHTU FILLOI NË VLORË 20 VJET MË PARË

Nga Gëzim ZILJA – shkrimtar, ish kryetar i Bashkisë së Vlorës

Një popull të dëshpëruar, të varfër e të mashtruar mund ta manipulosh fare lehtë. Njëzet vjet më parë kjo ndodhi. Mund të ndodh sërish: të ndizet një zjarr që sigurisht do të varfërojë e shkatërrojë Shqipërinë e shqiptarët e thjeshtë.

Mund të duket një krahasim jo i goditur, por unë që kam qenë atje në syrin e ciklonit, e di mirë sesi u zhvilluan ngjarjet. Njëzet vjet më parë Shqipëria u gjend para një revolte. Fillimisht protestat ishin të qeta dhe njerëzit kërkonin paratë e humbura në skemat mashtruese. U bën disa përpjekje nga qeveria të shpëtoheshin ç’mund të shpëtohej e t’u shpërndaheshin njerëzve. Në skenë pastaj hyri politika. Një lukuni drejtuesish të majtë u vunë në krye të protestave, duke premtuar se ata ishin të aftë të kthenin paratë, që i kishte vjedhur qeveria demokratike. Qeveria Demokratike, duke mos njohur gabimet, në këtë katrahurë që kishte ndodhur e po ndodhte para syve të saj ditën me diell, jo vetëm që nuk mori përsipër gabimet e veta, por mendoi e veproi me arrogancë pwr tu treguar vendin ‘’qafëpalarëve të Vlorës’’ dhe të tjerëve. U arrit deri në absurd, duke mobilizuar trupa paramilitarë me pagesë për të bërë ‘’terbiet’’ Jugun dhe Shqipërinë. Një populli të tradhtuar, një populli të paditur e të parritur ende, qeveria në vend t’i kërkonte falje e të shpallte zgjedhjet e reja ashtu si u kërkua, iu kundërvu me polici e ushtri. Në revoltën e parë të dhunshme iu vu flaka godinës së Bashkisë së Vlorës dhe u arrestuan të gjithë zjarrëvënësit. Atëherë masa të gjera njerëz, ku tashmë kishin në krye edhe politikanët e opozitës së atëhershme, iu turrën komisariatit të policisë së Vlorës dhe për të liruar shokët e tyre i vunë zjarrin. Zjarrëvënësit (ishte filmuar gjithçka) u liruan dhe u pritën si heronj nga turma. Edhe sot e kësaj dite asnjë nga ata nuk është dënuar. Gjendja pastaj doli nga binarët dhe në dorë qeverisjen e morën ‘’Caushët’’ e ‘’Kakamët’’. U desh të thirreshin forcat e Europës, që të rivendosej gjendja normale. Për çudinë e çudirave edhe sot e kësaj ditë asnjera palë nuk mbajti përgjegjësi. Gishti tregues i PD-së dhe i PS-së ka ngelur i ngrirë në drejtimin e kundërshtarit dhe asnjëherë nuk u kthye nga vetja. Asnjë llogari nuk u bë sesa ishte fatura për ringritjen e kopshteve, shkollave, gjykatave, bashkive e institucioneve të djegura e shkatërruara. Asnjë mësim nuk nxori klasa politike shqiptare për atë gjëmë që tronditi jo vetëm Shqipërinë por edhe aletatët tanë perëndimorë.

Sot pas njëzet vjetësh jemi pak a shumë në po të njejtat kushte. Një qeveri arrogante, me ministra arrogantë e hajdutë, që vendosin taksa pa mbarim, pa pyetur e pa marrë parasysh aspak gjendjen e mjerueshme ekonomike të njerëzve. Jepen me koncesione pasuritë bazë të vendit, e nuk pyetet kurrkush. Jemi para një administrate, që çdo ditë vjedh e mashtron popullin fukara. Nuk kupton kryeministri me të tijtë, se rripi nuk ka më vrima për të shtrënguar!? Në vend të jetë i përulur dhe të dëgjojë kuksianët, kosovarët dhe të gjithë shqiptarët del plot mëndjemadhësi dhe deklaron: Taksa nuk negociohet. Bëni kujdes zoti kryeministër! Merreni shtruar! Ka një varfëri shumë të madhe në Shqipëri dhe kur populli është i dëshpëruar dhe pa shpresë, mund të manipulohet fare lehtë. Nuk mjaftojnë tufat e trumcakëve dhe laureshave që na i dërgoni çdo natë nëpër TV, për të na mbushur mendjen se populli shqiptar po ecën e i sigurt nga ‘’viktorja në viktorje’’. E vërteta është krejt ndryshe.

Opozita qullashe, që një ditë para protestave flinte gjumë, fare e paorientuar dhe aspak largëpamëse, për të fituar kredibilitet kërkon të vihet në krye të protestuesve me parrulla luftënxitëse për mosbindje civile. Deputetët gjoja në mbrojtje të të arrestuarve shkelin ditën me diell ligjet e shtetit dhe bëjnë thirrje për lirimin e të arrestuarve pa kushte.

Dua të them se nuk është koha për luftë dhe Shqipëria nuk mund të digjet sërish. Aq më shumë që PD-ja e ka të vështirë për të ardhur në pushtet, me po ata njerëz, që populli i largoi pesë vjet më parë si zullumqarë. Mos shfrytëzoni mjerimin dhe varfërinë e njerëzve për të ndezur një luftë të re! Ne nuk kemi policë që të sakrifikojnë jetën për të mbrojtur institucionet e pasurinë e përbashkët. Qeveria e sotme është një qeveri antipopullore që po e varfëron popullin dhe policia me strukturat e tjera të saj e dinë shumë mirë këtë. Atëherë përse do të vriten, për kolltukët e ministrave hajdutë e arrogantë që i kundërvihen popullit!? Me pesëdhjetë ‘’ustallarë’’ jo më shumë ia vë flakën komisariateve e institucioneve dhe turma (unë jam i bindur) do të bëj sehir duke ngrohur duart si njëzet vjet më parë.

Prandaj sa është ende herët mos bllokoni e sulmoni komisariatet, duke kërkuar të lirohen ata pesë a gjashtë njerëz, që i vunë zjarrin postbllokut në Kukës dhe qëlluan me gurë policët. Gjeni rrugë e mënyra të tjera, protestoni, bëhuni të besueshëm për popullin dhe duke shfrytëzuar zemërimin e tij të merrni pushtetin vetëm te kutia e votimit.

Nga ana tjetër pozita të ulet sa më parë me kuksianët e të bisedojë shtruar me ta që të kuptojë se ka gabuar me atë taksë të lartë dhe me taksa të tjera që i nxjerr përditë. Mos të bëhet zakon që bisedimet të bëhen (edhe me opozitën) kur zjarret ndizet gjithandej.

Një popull të dëshpëruar, të varfër e të mashtruar mund ta manipulosh fare lehtë. Njëzet vjet më parë kjo ndodhi. Mund të ndodh sërish: të ndizet një zjarr që sigurisht do të varfërojë e shkatërrojë Shqipërinë e shqiptarët e thjeshtë. Në vitin 1997 politikanët pinin kafe e bënin gallatë te ‘’Rogneri’’ kur Atdheu u përfshi nga rrëmuja e flakët.