Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka organizuar konferencën e parë të Shteteve të Bashkuara mbi lirinë e besimit, duke mbledhur në Uashington zyrtarë qeverish, udhëheqës fetarë, aktivistë për të drejtat civile dhe pjesëtarë të shoqërisë civile nga e gjithë bota.
Zoti Pompeo tha për faqen elektronike të Vatikanit se misioni i takimit që filloi të martën është “shumë i drejtpërdrejtë dhe i rëndësishëm”. Ai tha se synimi është “të përhapet fjala për rëndësinë e lirisë së besimit për çdo individ në botë”.
“Njerëz të të gjitha besimeve duhet të kenë të drejtën të ushtrojnë besimin e tyre ashtu si zgjedhin, ose të mos ushtrojnë një besim fetar nëse nuk duan,” tha zoti Pompeo.
Sekretari i Shtetit tha se në Uashington janë ftuar 40 ministra të jashtëm për konferencën tri-ditëshe. Ky është numri më i madh i shefave të diplomacisë të mbledhur ndonjëherë në Departamentin e Shtetit.
Siç u shpreh zoti Pompeo, administrata Trump sheh një lidhje të thellë mes lirisë së besimit, të drejtave të njeriut dhe interesave ekonomike.
“Kur njerëzve u jepet mundësia të veprojnë lirisht për sa i përket besimit, ata kanë aftësinë të arrijnë vepra madhore. Investitorët preferojnë vende ku ka liri të gjerë feje. Ata i shohin vendet me liri fetare si vende më të hapura dhe më pak të rrezikshme,” tha Sekretari i Shtetit, Pompeo.
Në një intervistë për Rrjetin e Transmetimeve të Krishtera, zoti Pompeo tha se konferenca do të dalë me një numër nismash që do të njoftohen gjatë punimeve.