Receta e ditës/ Pastë e ngrirë me kajsi dhe fruta të thata

Përbërësit për 4-6 persona:

500 g kajsi të pastruara e të grira në copa

50g sheqer kaf

lëngu i gjysmë limoni

5 të verdha vezësh

1/2 gotë verë e bardhë

100 g sheqer

5 dl pana

4 lugë sheqer pluhur

100g stika jo të kripura

1 formë keku me diametër 20 cm

 

Përgatitja:

Vëmë frutat e prera në kubikë së bashku me sheqerin kaf dhe lëngun e limonit të ziejnë derisa të zbuten, pa iu prishur forma. I lëmë të ftohen. Përgatisim një shurup me sheqerin dhe verën duke i zierë ngadalë për 8–10 minuta.

Me rrahësin elektrik rrahim të verdhat e vezëve duke i shtuar pak nga pak shurupin e verës derisa të bëhen shkumë. Shtojmë më pas frutat dhe stikat e grira dhe e lëmë të ftohet plotësisht.

Rrahim panën me sheqerin pluhur dhe i shtojmë masën e mësipërme duke e përzierë ngadalë. Formën e kekut e mbështjellim me letër alumini dhe mbi të hedhim masën e përgatitur, e vendosim në ngrirje për të paktën 4 orë.

Heqim formën nga frigoriferi dhe e përmbysim mbi një pjatë servirjeje duke e zbukuruar me biskota të thata dhe gjethe menteje.