LOJË PLAKASH NË 1 PRILL

Nga Ilir KADIA

“Shiko çfarë i bëra Thëllënzës sot! “-më thotë nëna, ndërsa më shtron darkën. “E mora në celular dhe i thashë dil në ballkon të më shohësh! Por mos e mbyll telefonin e guzhinës. Ajo doli në ballkon e erdhi pas dy minutash. Po ku je?! S’ po të shoh! -më tha e merakosur. Ah shushkë, shushkë! – e shava me të qeshur. Në shtëpi jam, ku të jem. Në një prill jam! “

Dhe nëna vazhdonte të qeshte. E mua më erdhi mirë që asaj i kish shkuar në mëndje e kish luajtur me Thëllënzën një lojë prilli si goca gjimnazi. Mendoja Thëllënzën nga ballkoni i katit të shtatë, një lagje larg nesh, duke kërkuar të gjejë mes makinash nënën me shkop, e merakosur, ndërsa nëna pinte kafe si zonjë në divan dhe qesha.

“Se mos e shkruash! Është turp ta marrë vesh bota! Luajtën mendsh plakat qëkur u vdiqën burrat, do thonë.” -më shprehu merakun nëna.

Por… ishte vonë!