PANDELI MAJKO SHPALLET “QYTETAR NDERI” I KOMUNËS SË DRENASIT NË KOSOVË

E falënderoj Asamblenë komunale të Drenasit për përkrahjen e propozimit tim që z. Pandeli Majko të shpallet “Qytetar nderi”, i komunës së Drenasit, si dhe vendimi për të shpallur “Qytetare nderi”, Konteshën Walburga Habsburg Douglas.

Sot, Asambleja komunale e Drenasit, ka nderuar jo vetëm këto dy personalitete por edhe Drenicën dhe krejt Kosovën. Faleminderit!

Z. Pandeli Majko, shpallet “Qytetar Nderi” i Komunës së Drenasit, nga Asambleja komunale e Drenasit, me motivacion: “Për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e pakursyer për çlirimin e Kosovës, mbështetjen e vazhdueshme për shtetësinë e Kosovës dhe vënien e interesave të Kosovës në agjendat integruese euro-atlantike”.

Personalitetin e fuqishëm patriotik e motivues, e rikonfirmoi gjatë ushtrimit të postit të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, kohës më të ndjeshme të kombit shqiptar, kur qytetarët e Kosovës përballeshin me shfarosjen.

Z. Majko, ka përkrahur në kontinuitet të drejtën e Kosovës për shtet të pavarur e sovran, shtet të lirë dhe demokratik, me vlera integruese euro-atlantike, të përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe e bashkëpunim në rajon dhe më gjerë.

Po ashtu, si një personalitet i fuqishëm dhe patriot, i mbrujtur me ndjenjat më të fuqishme nacionale nga familja e tij, në veçanti ka çmuar Drenicën dhe historinë elavdishme të saj.

Sot, të gjithë jemi të nderuar që z. Pandeli Majko, është shpallë “Qytetar nderi” i Drenasit, për kontributin e shquar në çlirimin e vendit tonë, promovimin e vlerave të Drenasit dhe Drenicës, në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë, duke promovuar vlerat, të vërtetën e historisë tonë dhe synimet tona integruese.

Kjo është një biografi e shkurtër e Z. Pandeli Majko:

Pandeli Majko lindi në Tiranë, më 1967, ka mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në vitet 1994-2000.

Z. Majko ka një karrierë të pasur politike, është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në gjashtë legjislatura. Ka mbajtur dy herë postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Postin e Ministrit të Mbrojtjes, Z. Majko e ka mbajtur dy herë në qeveritë socialiste. Karriera e tij politike do të kulmonte në vitet 1998-1999 ku do të merrte postin e Kryeministrit në Qeverinë e Shqipërisë. Po këtë post, atë të kryeministrit, e ka mbajtur për 8 muaj edhe në vitin 2002. Ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për hartimin e Kushtetutës shqiptare në Kuvendin e Shqipërisë në vitet 1997-1998. Z. Majko ka qenë Kryetar i Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si dhe anëtar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Aktualisht, Z. Majko është Ministër i Diasporës në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Ramiz LLADROVCI

Kryetar i komunës së Drenasit – Kosovë