Parlamenti i Suedisë ka miratuar një projektligj të mbështetur nga qeveria që shfuqizon lejet e qëndrimit të përhershëm për refugjatët dhe kategori të caktuara të tjera migrantësh.

Siç raporton Radio Suedia, sipas legjislacionit të ri, nga 12 korriku vetëm leje të përkohshme qëndrimi do t’u jepen azilkërkuesve dhe disa grupeve të tjera të migrantëve.

Megjithëse lejet e përkohshme tashmë janë standard në Suedi, reforma eliminon mundësinë që këto kategori të përfitojnë qëndrim të përhershëm në të ardhmen.

Autoritetet thanë se ndryshimi nuk do të ndikojë tek individët që tashmë posedojnë leje qëndrimi të përhershme.

Projektligji u miratua nga parlamenti dje si pjesë e ndryshimeve më të gjera në politikën e migracionit të Suedisë.