MALI I ZI- Pas vizitës në Shqipëri dhe Kosovë, dy senatorët ameeikanë Chris Murphy, anëtar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-së dhe senatori amerikan Gary Peters, anëtar i Komisionit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA-së, u ndalën në Malin e Zi.
Gjatë vizitës në Malin e Zi Murphy dhe Petees u takuan me presidentin e ri Jakov Milatoviç. Senatori Murphy tha se ata janë miq të Malit të Zi dhe se ky vend, siç tha ai, paraqet një histori suksesi.
Chris Murphy: Një nga votat për të cilat jam më krenar si anëtar i Senatit është vota e mbështetjes për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Ne mbështesim vizionin tuaj për anëtarësim në BE. Dhe BE-ja do të forcohet kur Mali i Zi t’i bashkohet. Ne jemi këtu për të dëgjuar nga ju se si mund të mbështesim vizionin tuaj ekonomik dhe të sigurisë. Mali i Zi është një histori suksesi. Ka ende punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe mbrojtjes së medias. Por asnjë demokraci nuk është e përsosur, madje as ne në SHBA. Ne jemi entuziastë për thellimin e bashkëpunimit dhe partneritetit.
Ndërsa senatori Peters vlerësoi përkushtimin dhe kontributin e Malit të Zi në NATO.
Gary Peters: Unë kam një komunitet shumë të madh shqiptar në zonën time (Miçigan) në SHBA dhe shumë prej tyre vijnë nga Mali i Zi dhe e duan shumë Malin e Zi. Votuesit e mi thonë se duhet të investojmë në Mal të Zi. Ne duhet të luftojmë kundër korrupsionit. Do të forcojmë prosperitetin ekonomik për qytetarët e Malit të Zi. Fokusi im është te siguria. Mali i Zi është i përkushtuar ndaj NATO-s dhe kjo është e rëndësishme. I përgëzoj njerëzit për investimin në siguri dhe për kontributin në NATO në të gjithë Evropën. Është e rëndësishme që ne të forcojmë sigurinë kibernetike. Sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve ne.
Ndërkohë Presidenti Milatoviç detajet rreth takimit i dha përmes një postimi në Facebook ku shkruan se takimi me senatorët ka qenë i suksesshëm.
Jakov Milatoviç: Ne ramë dakord që procesi i integrimit në BE është shumë i rëndësishëm dhe se ai duhet të përfundojë me sukses në vitet e ardhshme kur bëhet fjalë për Malin e Zi, i cili kërkon përshpejtimin e reformave. Besoj se nga pozita e presidentit do të përmirësoj edhe më tej partneritetin strategjik mes Malit të Zi dhe SHBA-së, i cili është i një rëndësie të madhe, veçanërisht në këto momente të ndryshimeve politike./Limit.al