Inter triumfon në Kupën e Italisë, mposht Fiorentinën me përmbysje, Martinez “hero”

Inter mbron sërish titullin e Kupës së Italisë, duke e fituar për të dytën herë radhazi dhe për të 9-ën herë në historinë e tyre. Zikaltërit triumfuan në finalen e madhe në ‘Olimpico’ të Romës ndaj Fiorentinës me rezultatin 2-1. Një triumf me përmbysje për Inter, që bëjnë kështu sërish të vetin këtë trofe.

Skuadra ‘violë’ bëri një start të shkëlqyer të lojës duke zhbllokuar shifrat që pas vetëm 3 minutash lojë.

Nicolas Gonzalez ndëshkoi ekipin nga Milano.

Por Inter përmbysi gjithçka brenda pjesës së parë.

Lautaro Martinez u bë edhe njëherë heroi i skuadrës së Simone Inzaghit.

Sulmuesi argjentinas vendosi baraspeshën në minutën e 29-të.

Pas vetëm 8 minutash lojë Martinez gjeti edhe golin e dytë për Inter dhe të dytin personal në këtë finale, duke bërë të shpërthejnë në festë tifozët zikaltër.

Pjesa e dytë e lojës edhe pse nuk solli gol, prodhoi lojë dhe raste të rrezikshme nga të dyja skuadrat.

Të besuarit e Inzaghit mund të t’a kishin vulosur suksesin në minutën e 67-të, por Dimarco nuk përfitoi dot nga një tentativë drejt portës e Lukakut, me topin që u prit nga portieri Terraciano dhe mbeti në zonë e rreptësisë.

Fiorentina ‘drithëroi’ interistët 10 minuta nga fundi. Luka Joviç rrezikoi portën e Handanoviç në dy raste, fillimisht në minutën e 79-të, e më pas në të 82-tën.

Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund dhe Inter fiton ‘finalen e parë’, përpara asaj më të rëndësishmes në Champions League ndaj Manchester Cityt./Limit.al