Shuhet mbretëresha e Rock ‘n’ Roll, Tina Turner (Jeta dhe karriera e saj)

Me ikjen e saj, bota humb një legjendë të muzikës…

Shuhet në moshën 83-vjeçare, legjenda e muzikës Tina Turner. E konsideruar si mbretëresha e Rock ‘n’ Roll, ajo qëndron pas një sërë hitesh përfshirë “Proud Mary” dhe “The Best”. Sipas mediave ndërkombëtare, Turner ndërroi jetë pasi humbi betejën me një sëmundje nga e cila vuante prej kohësh.

“Tina Turner, Mbretëresha e Rock ‘n Roll vdiq paqësisht këtë të mërkurë në moshën 83-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë. Ajo u shua në shtëpinë e saj, në Kusnacht pranë Zyrihut, në Zvicër. Me ikjen e saj, bota humb një legjendë të muzikës dhe një shembull model”, tha në një deklaratë një zëdhënës i këngëtares.

Sipas asaj që shkruan “The Guardian”, Turner u diagnostikua me kancer në zorrë në vitin 2016 dhe në vitin 2017 bëri një transplant të veshkës. Prej vitesh ajo vuante nga problemet me shëndetin.

E lindur në SHBA, Tina Turner ishte një prej këngëtareve rock më të dashura në botë, e famshme për performancat e saj në skenë dhe një mori hitesh. Ajo u bë fillimisht e famshme në vitet 1960 krah ish-bashkëshortit Ike Turner, me këngët klasike, River Deep, Mountain High, në mesin e repertorit të tyre.

Emri i saj i vërtetë ishte Anna Mae Bullock dhe Tina Turner iu dha nga bashkëshorti Ike, kur talenti i saj u bë i dukshëm. Emrin ia vendosi me qëllimin që në rast se ajo do ta linte, ta zëvendësonte në grupin muzikor që kishin bashkë. Shumë shpejt ai u bë abuziv me të. Kur Turner u përpoq të linte grupin ai e dhunoi.

“Marrëdhënia ime me Ike kishte marrë fund ditën kur zbuloi se do isha burimi i tij i të ardhurave”,shkruante Turner në biografinë e saj të publikuar në 2018-n “My Love Story” (Historia ime e dashurisë). “Ai donte të më kontrollonte, si ekonomikisht, ashtu edhe psikologjikisht, në mënyrë që të mos e lija kurrë”.

Hiti i parë i saj ishte nën emrin Ike dhe Tina Turner, “A Fool in Love”, në Korrik të 1960-s. Kënga theu Top 30-shen amerikane dhe kështu nisi suksesi për legjendën. Por ishte perfomanca e tyre live që i bënte aq të suksesshëm. Në vitet 1970 ata dominonin klasifikimet dhe ishin një forcë fituese në Grammy. Rruga e tyre bashkë përfundoi kur Turner arriti ta linte Ike në 1976-n. Ai kishte qenë gjatë gjithë kohës i dhunshëm dhe e kishte tradhtuar.

Në divorcin që u finalizua në 1978-n, Turner mori vetëm 2 makina dhe të drejtat për të mbajtur emrin e saj skenik. “Ike luftoi pak sepse e dinte se çfarë mund të bëja unë me të”, shprehej Turner në një dokumentar.

E në fakt ashtu rezultoi! Në vitet 1980, ajo u shndërrua në ikonë, me albumin e saj “Private Dancer”. Turner afirmoi dhe amplifikoi rolin e grave me ngjyre në Rock n’ Roll. Jeta e saj u pasqyrua së fundmi në një dokumentar të publikuar në 2021-n me titull Tina.