Me datën 27 qershor 2018, në Lezhë të Shqipërisë, nga U.d. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Naim REXHA dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues Madhor Ardi VELIU, u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit për patrullime të përbashkëta në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë.
Referuar nevojës dhe rëndësisë së vazhdimit të bashkëpunimit dhe patrullimeve të përbashkëta në mes të dy agjencive policore, në përpjekje për rritjen e elementeve të sigurisë rrugore në Shqipëri , nga 1 korriku 2018 do të fillojë turni i parë i zyrtarëve policorë të trafikut nga Kosova për të patrulluar bashkërisht me njësitet e trafikut të Policisë së Shqipërisë në Shtetin e Shqipërisë.
Të vetëdijshëm për faktin se gjatë sezonit turistik, po thuajse çdo vit ka një rritje të ndjeshme të numrit të shtetasve nga Kosova që shkojnë për pushime në zonat turistike të Shqipërisë, si dhe të mjeteve që qarkullojnë në akset kryesore rrugore që lidhin të dy vendet, është parë e nevojshme realizimi dhe vazhdimi i kësaj marrëveshje të përbashkët.
Me synim të intensifikimit dhe forcimit të bashkëpunimit të mëtejmë midis policive të dy vendeve, nëpërmjet planifikimit dhe zbatimit të masave të përbashkëta si dhe me qëllim ngritjen e sigurisë në trafik për pjesëmarrësit e të dy vendeve, në vazhdimësi janë vlerësuar të nevojshme dhe të suksesshme patrullimet e përbashkëta në Shqipëri, andaj si rezultat i këtyre vlerësimeve edhe këtë vit u nënshkrua kjo Marrëveshje Mirëkuptimi.
Përveç tjerash ky patrullim i përbashkët ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit konkret në fushën e parandalimit të kundërvajtjeve administrative, për rritjen e efikasitetit të luftës ndaj humbjes së jetëve njerëzore në aksidentet rrugore dhe zbatimin me rigorozitet të legjislacionit rrugor, për krijimin e një ambienti më të sigurt për të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës, që qarkullojnë në akset rrugore që lidhin dy vendet.