Njeriu i pasvdekjes

Nga Sulejman MATO

Ai kishte kaq kohë që jetonte në botën e pasvdekjes. Ishte shdërruar në ndiesi. Trupin e kishte lënë në tokë, ashtu siç i lënë trupat të gjithë, njerëz dhe kafshë, kur nisen drejt rrugës së moskthimit. Kishte ndiesinë që shikonte, ndiente nuhaste…Vetëm trup nuk kishte…
Atje ku jetonte ai nuk kishte nevojë as të hante, as të pinte, as të vishej as të punonte as të kujdesej për rritjen e fëmijëve.Të tilla gjëra nuk njiheshin në botën e pasvdekjes. E ndiente veten të çliruar nga shqetsimet jetesore. Kur pyeti: -ku ndodhem, -i thanë “Je në zonën e ‘Hapësirës gri” Ai, edhe pse e ndiente veten të lirë dhe të pa peshë, pa peshën e trupit të tij tetëdhjetë e dy kilogram, i mungonte diçka…E mundonte malli për botën që kishte lënë…Ashtu siç na ndodh shpesh në ëndrra, kur na shfaqen turbull-turbull të dashurit tanë ashtu i shfaqeshin dhe atij, turbull-turbull, si në një ëndërr, të dashurit e tij. Dua të theksoj dhe diçka tjetër, në botën e pasvdekjes nuk flihej…Arsyeja pse në botën e pasvdekjes nuk ka gjumë është e thjeshtë. Atje nuk punohet, atje nuk hahet, atje nuk pihet, atje nuk ka lodhje mendore dhe fizike, ndaj atje gjumi nuk ka kuptim. Atje liria është e pakufizuar dhe koha është e pakohë. Dua t’jua shpjegoj mirë disa gjëra që dhe ju t’i kini parasysh e të jini të përgatitur për çdo rast.
Ajo që i ndodhi mikut tim ishte dashuria dhe nostalgjia për jetën dhe për njerëzit e dashur. Vetëm dashuria dhe nostalgjia me kalimin e kohës nuk zhduket por rritet. Pra, dua t’ju them, miqtë e mi, që të mos shqetsoheni shumë për të ikurit tuaj, pasi shqetësimi i tyre atje është dy- trefish më i madh se yni.
Kështu dhe miku ynë , edhe pse nuk e dinte as vetë sa kohë kishte në botën e pasvdekjes, nuk ishte ambientuar dot me atë mënyrë jetese. Të tjerët që e rrethonin me dashuri, e kishin kuptuar por askush nuk kishte guxuar ta shqetësonte duke menduar se do të mësohej me kohë.
Kishte vdekur në një aksident automoblistik.Gjatë një udhëtimi të shkurtër vetura e tij ishte përplasur me një kamjon.. Vdekja e tij në moshë të re kishte bërë që ai të mos ishte i përgatitur për një jetë tjetër, në hapësirën gri, të cilën njerëzit e kësaj bote nuk mund ta kuptojnë dot, edhe për shkak se gjer më sot nuk na ka mundur të na vijë asnjë informacion.Askush nuk ka mundur të kthehet mbrapsht në kohë, për të na treguar ndonjë imtësi. Kthimi mbrapsht në kohë, mbetet ende një ligj universal i pashpjegueshëm.
Mikut tim i vërtiteshin në mendje njerëzit e dashur;gruaja,fëmijët,miqtë e shokët, 8 vërtiteshin në mendje kujtime të fëmijërisë, shtëpia, kopshti, ullishtat… rrugët me baltë qeni, macja e shtëpisë…
Të gjitha këto ndiesi që nuk kishte mundur t’i linte në tokë i kishte bartur me vete , i ishin ngjitur pas vedi në çastin e ikjes.
Në botën e pavdekjes ka shumë lehtësira. Së pari;lëvizin të lirë, në ajër,së dyti, nuk hanë, ndërkohë që problemi më i madh i tokës është ushqimi.Në botën e pasvdekjes edhe pse të gjithë flasin të njëjtën gjuhë, ka fjalë që nuk ekzistojnë, si për shëmbull: ushqim, veshmbathje, varr…vdekje…lindje, shtet, demokraci, ligje, korrupsion, kushtetutë, parlament, qytet, fshat, llogore, luftë, kufij, politikë, sex, uri, rracë, mirëqenie, ujë, bukë det, mal, pyll, ligj, mbretëri republikë, tranzicion, Veting, kompromis,diplomë,doktor i shkencave, e të tjera e të tjera.
Në zonën e “Hapësirës gri” nuk ka të pasur dhe të varfër, nuk ka fshatarë e qytetarë, nuk ka luftra, cmirë, egoizëm, thashetheme, xhelozi, urrejtje…
Le të kthehemi sërish te personi që për shkak të atij aksidenti kaloi në jetën e përtejme e që nuk mundej të ambientohej dot me atë botë.…Pati mendime që kjo kishte ndodhur për arsye se ai nuk kishte plotësuar ciklin e plotë të jetës. Psikologët e “Hapësirës gri” që e kishin studiuar këtë problem kishin konkluduar se duhej bërë diçka, edhe për shkak të rritjes progresive të këtij fenomeni.

* * *
Sakaq mikut tonë iu afruan në një distancë të afërt tri dritëza. Një e kuqe, një e verdhe, një blu…
-Ke bërë kërkesë të kthehesh në tokë? – Zëri i erdhi i zbehtë dhe i zbutur.
-.Kur u ndava nga ajo botë nuk mora vesh asgjë.- .- tha ai.-Mbaj mend vetëm çastin kur e ndieva veten duke fluturuar në erë…
-Përse doni të ktheheni?
-Dua të takoj trupin tim.
-Trupin tënd s’mund ta takosh.Ai tashmë është futur në një arkivol prej druri..-Zëri iu duk sikur vinte nga drita blu…
-Po fëmijët?..-deshi të shtonte dhe diçka ai por zëri që i erdhi nga drita blu ia preu.- Ndarja është e përjetshme!
-A mund t’u shfaqem si hije?,- vijoi të insistonte ai.
-Kjo gjë është zgjidhur prej kohësh. Si hije u shfaqemi vetëm në ëndrra.
-Po në vendlindjen time?
– Janë qentë që me nuhatjen e tyre kuptojnë gjithçka. – Zëri kësaj radhe i erdhi nga drita e verdhë.-
-Ju kush jini? Guxoi të bëjë një pyetje të fundit ai.
-Unë jam Burimi,-iu përgjigj një zë i ngrohtë dhe autoritar i cili vinte nga një largësi e madhe.
Në atë çast dritat u shuan……Nuk i dhanë asnjë mundësi të pyeste më tepër: kush ishte Burimi dhe a ekzistonte mundësia e kthimit mbrapsht, në kohë.
Kishte dëgjuar për disa astronautë, që ishin nisur nga Toka në drejtim të planeteve të tjerë…Kishte dëgjuar të flitej dhe për ca jashtëtokësorë që kishin mbërritur në tokë,ndërsa ky udhëtimi mbrapsht në kohë, qoftë dhe për disa çaste, nga “Hapësira gri” në Tokë kishte mundur të realizohej vetëm në ëndrra…Po kush ishte ky Burimi? Burimi i dritës? Burimi i errësirës…?Burimi i inteligjencës…? Zoti i universit…?

* * *
Mbërritja në tokë u bë në mënyrë të beftë…siç ndodh në ëndrra. Mund të ishte dhe ëndërr. E ndieu veten në një park të gjelbëruar , i cili iu duk si Parku “Rinia” Duhet të ishte e diel, ndryshe nuk mund të kishte aq shumë të rinj e të reja.Tavolinat ishin të zëna brenda dhe jashtë lokalit. Ndieu një kënaqësi të veçantë që ishte midis tyre.I shihte të gjithë e atë nuk e shihte asnjeri.Nuk i erdhi mirë që rinia vazhdonte t’i kalonte ditët kafeneve. Kamarieri u vërtit disa herë rreth tij . Nuk porositi asgjë, pasi, siç e dini, frymorët nuk hanë e nuk pinë.Sikur kjo gjë të realizohej në tokë, do të quhej shpikje e madhe e njerëzimit. Iu kujtua zëri i Burimit:”Çdo ide realizohet në kohën e vet. “ Një çift pranë tij tregonte një histori dashurie. I interesoi ta dëgjonte.Mungesa e dashurisë tek njerëzit do të ishte fatale, mendoi me vete…Më pas e humbi fillin e bisedës.U ngrit në ajër dhe nisi të vërtitej mbi qytet.U shty në periferi, ku gjelbëronin fushat. Ca liqene të vegjël shkëlqenin nën rezet e diellit me vezullime të kristalta. U ngjit lart, gjer ku ngjiten avionët Përshkoi lugina, kaloi male.I ngadalëzoi lëvizjet kur e pa veten mbi një qytet bregdetar, në muzg…
Pa ca vetura që ngjanin si breshka të kuqe. Njerëzit dukeshin si milingona…Nuk i hiqej nga mendja kush ishte ky Burimi. Zbriti sërish. Pa një tavolinë të vetmuar, buzë detit.Dy të moshuar bisedonin me zëra të lartë, për politikë…I dëgjoi pa kureshtje,si një njeri i ardhur nga bota tjetër që nuk e kupton dot çfarë është politika. Sa mirë që nuk më shohin, mendoi.. Po ta merrnin vesh se një frymor i ardhur nga “Hapësira gri” gjendej midis tyre do të bëhej një zallamahi e madhe.. Do të shqyheshin radiot dhe televizionet. Në çast iu kujtua vendlindja.Nuk i rezistoi dot mallit.Iu drithërua zemra kur pa shtëpitë e bardha të ngritura mbi një kodër… Dukeshin si shtëpi milingonash….Ndjeu një lumturi të patreguar, se, gjithësesi ndiesitë, siç e thamë dhe më lart, i kishte dyfish e tre fish. Donte të qante.Mirëpo, frymorët, siç e dini dhe ju, nuk nxjerrin dot lot.Hodhi sytë poshtë…Shamibardhat prashisnin si dikur, kur ishin në kooperativë…Pati përshtypjen se ishin ngatërruar kohët,duhet jetonin ende në socializëm…. Ndërkohë ndieu lehje qensh. Gjatë mungesës së tij duhet të ishin shtuar shumë qentë. Iu kujtua porosia e Burmit. I tmerruar u ngjit sërish lart. Në atë çast i lindi një ide e rëndësishme, të cilën mendoi ta diskutonte me Burimin, kur t’i raportonte se çfarë kishte parë dhe ndjerë në tokën e braktisur. Puna, puna do t’i thoshte Burimit, -vetëm puna është “burim i të gjitha të mirave materiale.” Kjo frazë se si i kishte mbetur në kujtesë qysh nga koha e shkollës…
Në një çast të vetëm , por vetëm në një çast, ai pati ndjesinë se, e gjitha kjo që ndodhte duhet të ishte një trillim i mendjes së tij të sëmurë? Nuk e kishte të qartë, ,nëse ai në atë çast kishte udhëtuar vërtet drejt zonës së “Hapësirës gri” apo gjendej në spital, në repartin e reanimacionit, nën kujdesin e mjekëve ,që vërtiteshin të shqetsuar rreth tij.E vetmja gjë që nuk mundi të kuptonte ishte ajo; të dinte saktësisht se ku ndodhej në ato çaste.