Sherri në Juve-Inter, Gjykata Sportive merr vendim, e pësojnë Cuadrado, Handanoviç e Juventus

Ndeshja e parë gjysmë-finale e Kupës së Italisë, mes Juventusit dhe Interit, e luajtur në Torino, u mbyll në barazim 1-1. Fundi i takimit prodhoi tepër tension e shkaktoi polemika të shumta, mes dy skuadrave dhe stafeve teknike.
Pas fërshëllimës të trefishtë të gjyqtarit të ndeshjes, futbollistët u përplasën me njëri-tjetrin. Lojtari i bardhezinjve Juan Cuadrado kërkoi të sqarohej me portierin e Interit, Samir Handanoviç por nervat e tradhtuan kolumbianin që goditi me grusht gardianin zikaltër.

Lidhur me këto episode të shëmtuara të ndodhura në fundin e sfidës, Gjykata Sportive në Itali ka marrë edhe vendim, duke pezulluar nga aktiviteti me tri ndeshje Juan Cuadrandon, ndërkohë që për Handanoviç u morr vendimi për pezullimin me një ndeshje.
Sakaq, klubi i Juventusit do të vuajë edhe dënimin e një gjobe prej 4.000 eurosh, teksa për një ndeshje, tribuna pas porte e ‘Allianz Stadium’ do të qëndrojë e mbyllur, për shkak të fyrjeve dhe koreve raciste që erdhën prej andej, ndaj sulmuesit belg të Interit, Romelu Lukaku.

Ndërkohë klubi nga Piemonte ka identifikuar dy prej tifozëve të cilët adresuan ndaj Lukakut fyerje raciste. Juventus ka denoncuar dy emrat. Bëhet fjalë për një të mitur dhe një të rritur, që tashmë klubi ka vendosur t’i ndalojë ata nga stadiumi, duke aplikuar ‘Kodin e miratimit’. Sipas Kodit, për të miturit ndalohet hyrja në stadium për 10 vite, ndërsa për të rriturit për jetë./Limit.al