Ashtu sikurse pritej, FIFA ka nisur sot një hetim në lidhje me mënyrën e festimit të golave nga ana e lojtarëve zviceranë Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka pas fitores 2-1 në Botërorin “Rusi 2018” ndaj Serbisë. Dy futbollistët me origjinë kosovare festuan golat duke bërë simbolin e shqiponjës, gjë që nuk u ka pëlqyer serbëve, që janë ankuar.
Nuk dihet nëse vendimi i FIFA-s do të jetë që t’i dënojë me një skualifikim apo vetëm me një gjobë, ndërkohë që Zvicra do të luajë ditën e mërkurë ndeshjen e tretë në grup ndaj Kosta Rikës. Reagimet e futbollistëve zviceranë janë konsideruar si të papërshtatshme nga FIFA, e cila e konsideronte këtë sfidë me rrezik, pikërisht për këtë arsye. (Nga Gentian Spiri, Telesport)