Trofetë i sjellin miliona City-t, klubi nga Manchester-i mbush arkën pas fitimit të tripletës

Një sezon fantastik e i paharrueshëm ishte ky për Manchester City-n. ‘The Citizens’ arritën të fitonin tripletën, duke triumfuar në Premier League, FA Cup dhe në fund ‘qershia mbi tortë’, trofeun e aq shumë dëshiruar të Ligës së Kampionëve.

Klubi nga Manchesteri kishte vite që e kërkonte këtë trofe dhe më në fund ja arriti, në finalen e madhe të Stambollit ndaj Interit.

Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola dominoi në të gjitha kompeticionet madhore në këtë edicion, duke vendosur diktatin ndaj çdo kundërshtari që i doli përballë.

Kështu, trajneri dhe stafi teknik justifikuan dhe shumat e mëdha financiare të investuara në merkato nga drejtuesit e klubit.

Manchester City ka arkëtuar shuma të mëdha financiare sukseset e arritura në Premier League, FA Cup dhe Champions League.

Kështu, klubi anglez mbush arkën pas fitimit të tripletës, duke përfituar rreth 341 milionë euro si shpërblim, për arritjen e këtyre sukseseve.

‘Blutë’ e Manchester-it do të përfitojë rreth 209 milionë euro nga fitimi i kampionatit anglez, ndërsa për fitimin e Champions League, City do të marrë nga UEFA rreth 127.5 milionë euro.

Në fund vjen FA Cup me shifrën modeste prej 4.5 milionë eurosh. Në këtë mënyrë, investimet marramendëse të viteve të fundit, mund të themi se janë justifikuar nga ana e skuadrës nga Manchester-i./Limit.al