Finalja e Kupës së Italisë, “provë gjenerale” për Inter, Italiano “kërcënon”: Nuk kemi ardhur kot deri këtu

Në ‘Stadio Olimpico’ të Romës, Fiorentina dhe Inter do të ‘përplasin brirët’ për të ngritur lart trofeun e Kupës së Italisë. Një finale e cila do të jetë një ‘provë gjenerale’ për Interin, në prag të finales së madhe të Champions League, ndaj Manchester Cityt, por njëkohësisht edhe Fiorentina kërkon të ‘masë’ forcat në prag të duelit ndaj West Ham, në finalen e Conference League.

Përpara finales së Kupës së Italisë, dolën në konferencë për shtyp trajnerët e të dyja skuadrave.

Tekniku i ‘zikaltërve’, Simone Inzaghi deklaroi se çfarëdo që të ndodhë e ardhmja është e sigurt në krye të pankinës së klubit nga Milano.

Simone Inzaghi: Do të përballemi me një skuadër të fortë. E kanë merituar finalen ashtu si ne. Do të jetë një ndeshje e hapur, ne duhet të jemi skuadër me ‘S’ të madhe. Do të duhet të dimë të lexojmë momentet e shumta të ndeshjes që do të jetë të tillë. Unë kam një kontratë me Interin dhe nuk jam ndjerë kurrë i pasigurt. Gjithmonë kam punuar 24 orë në ditë bashkë me stafin. E dimë që gjykohemi gjithmonë nga rezultatet që marrim.

Nga krahu tjetër trajneri i ekipit toskanez, Vincenzo Italiano premtoi një betejë të fortë ndaj Interit.

Vincenzo Italiano: Është një ndjenjë krenarie të luash në finale. Duhet të bëjmë gjithçka për t’a vënë Interin në vështirësi. Ne kemi nevojë për një paraqitje si ajo në Basel. Do të luajmë shanset tona. Kemi arritur deri këtu dhe do të përpiqemi të fitojmë. Përveç cilësisë së madhe të lojtarëve dhe kampionëve që ata kanë në organikë, Interi ka edhe një trajner që di të shkojë shpesh në finale dhe që di edhe t’i fitojë. Çfarëdo që të ndodhë, do të duhet të përveshim mëngët dhe të luajmë edhe tri ndeshjet e tjera që janë shumë të rëndësishme dy në kampionat dhe finalen e Conference League. Sfida përballë Inter është prova jonë e parë për të treguar cilësitë tona dhe për të treguar se e kemi merituar për të arritur deri këtu.

Fiorentina e ka fituar Kupën e Italisë 6 herë, për herë të fundit në vitin 2001, ndërsa Inter ka triumfuar 8 herë./Limit.al