VIDEO, Ronaldo fiton zemrën e tifozëve arab, ylli portugez shënon dhe feston duke bërë sexhde

Cristiano Ronaldo vijon të jetë protagonist absolut në kampionatin e Arabisë Saudite. Ylli portugez që prej transferimit të tij tek skuadra e Al-Nassr, ka qenë në qendër të vëmendjes, për atë çfarë ka dhënë në fushën e lojës, por jo vetëm.

38-vjeçari edhe pse i transferuar në janar në ligën arabe të futbollit, është kthyer menjëherë në futbollistin kryesor të Ligës Profesionale Saudite.

CR7 ka shënuar 14 gola në 15 ndeshje të luajtura në kampionat dhe gjithashtu ka dhënë edhe 2 asiste për shokët e ekipit.

Së fundmi, ai shënoi sërish në ndeshjen që Al-Nassr pati ndaj Al-Shabab në kampionat.

Ronaldo realizoi golin e tretë të ndeshjes për skuadrën e tij, në minutën e 59-të, në fitoren 3-2 të skuadrës së tij, duke i dhënë kështu tripikëshin Al-Nassr.

Por ajo që bëri më shumë bujë nuk ishte goli i shënuar nga 5 herë fituesi i Topit të Artë, por festimi i tij pas realizimit.

Ronaldo e festoi golin duke bërë sexhde, që është një akt i besimtarëve myslimanë për t’u përulur para Zotit të tyre.

E ky veprim i sulmuesit portugez ka lumturuar të gjithë tifozët arab, duke bërë që të fitojë zemrat e tyre./Limit.al