Durrës, e rrahu dhe e shtypi me makinë, arrestohet Afrim Kila, i dënuar me 18 vite burg

Efektivët e Policisë së Durrësit kanë arrestuar një 39-vjeçar, të shpallur në kërkim për vrasje me dashje.

Efektivët blu e qytetit bregdetar vunë në pranga shtetasin Afrim Kila, i cili ishte dënuar nga Gjykata me 18 vite burgim, pasi në vitin 2020 kishte rrahur e goditur me sende të forta dhe më pas shtypur me makinë një 63-vjeçar, i cili kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve të marra.

39-vjeçari kërkohej që prej vitit 2020, pasi kishte rrahur, e më pas e kishte përplasur me makinë 63-vjeçarin Dervish Kalaja.

Ngjarja e rëndë ndodhi në dhjetor të vitit 2020, ndërsa në sherrin masiv në një lokal të Ishmit u përfshinë disa persona.

Kalaja ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë, disa ditë pas plagosjes së rëndë.

Njoftimi i Policisë:

 

Manzë, Durrës

Ndalohet një shtetas i dënuar me 18 vjet burgim për vrasje me dashje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Postën e Policisë Manzë bënë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për shtetasin Afrim Kila, 39 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, e cila ka dënuar këtë shtetas, me 18 vjet burgim. Shtetasi Afrim Kila së fundi ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”. 

Më datë 19.05.2023, në përfundim të hetimeve për ngjarjen e ndodhur në vitin 2020, në ambientet e një lokali, në Ishëm, ku shtetasi Afrim Kila goditi me mjete të forta dhe më pas në rrugë e goditi me automjet, shtetasin D. (P). K., i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës e ka deklaruar fajtor këtë shtetas dhe e ka dënuar me 18 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”.

Në vijim të veprimeve shtetasi Afrim Kila u transportua në IEVP Durrës, për të vuajtur dënimin./Limit.al