Me masa të rrepta sigurie, betohet kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut! Lista Serbe ‘ULTIMATUM’ Albin Kurtit

KOSOVË– Kryetari i ri i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, cili vjen nga Vetëvendosja, ka bërë betimin para Kuvendit Komunal ku dhe ka marrë zyrtarisht detyrën. Po ashtu në këtë seancë është emëruar edhe nënkryetarja e Komunës, Katarina Axhançiç nga radhët e komunitetit serb.

Të zgjedhurit përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe Vetëvendosjen në komunat me shumicë serbe, që janë drejtuar deri më 23 prill të këtij viti nga përfaqësues të partive serbe në Kosovë. Ndërkombëtarët kanë bërë apel që të tregohet vetëpërmbajtje gjatë procesit të betimit të kryetarëve të rinj të komunave në veri të Kosovës.

Por kjo ceremoni nuk kaloi pa tensione dhe pse fatmirësisht jo me përplasje fizike por me gjuhë retorike politike. Kështu Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, në një konferencë për media deklaroi se me dhënien e betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç nga Lëvizja Vetëvendosje, “filloi zyrtarisht pushtimi i veriut e do të përfundojë kur të vendosin serbët”.

Simiç i ka dhënë afat kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.  Ai shtoi se nëse kjo vazhdon, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”, tha Simiç duke mos cekur se cilat janë këto mjete. Ndërsa kryekomunarin e ri e ka cilësuar si një kryetar të “rremë”./Limit.al