Inzaghi “kërcënon” Realin dhe Cityn: Inter mund të fitojë Championsin, Pioli i zhgënjyer nga eleminimi

Inter mposhti Milanin edhe në ndeshjen e dytë gjysmë-finale të Champions League dhe preu biletën për në Stamboll, aty ku do të luhet finalja e madhe më 10 qershor. Zikaltërit triumfuan 1-0 ndaj kuqezinjve, ndërkohë që kishin fituar edhe sfidën e parë me rezultatin 2-0.

Trajneri Simone Inzaghi ka bërë që edhe më skeptikët të cilët nuk kishin besim te aftësitë e tij, të ndërrojnë mendje. 47-vjeçari ka udhëhequr Interin drejt finales së Ligës së Kampioneve, duke siguruar një objektiv shumë të rëndësishëm për klubin zikaltër.

Pas ndeshjes derbi, në konferencën për shtyp Inzaghi ka bërë të qartë se në finale nuk do të jenë thjesht prezent, por do të tentojnë fitimin e trofeut.

Simone Inzaghi: Këta djem kishin besim, në këtë periudhë kemi kaluar një gjysmë-finale kupe dhe një kampionat që duhej futur në shina, përtej dëmtimeve që na kufizuan. Është një kënaqësi e madhe kjo finale, një objektiv i dëshiruar dhe i arritur me shumë sakrificë. Unë e besoja që nga dita e shortit, edhe pse e dija që ishte e vështirë, koha do të na bëjë të gëzojmë edhe më shumë. Normale, tani jemi në finale dhe do të bëjmë më të mirën tonë. Në 4 muaj kemi fituar 4 derbi. E dimë se sa na kishte kushtuar titulli i humbur në vitin e kaluar, përtej dy trofeve që fituam. Ndaj tani është e drejtë që t’i gëzohemi kualifikimit për në finale.

Nga krahu tjetër, trajneri i Milanit Stefano Pioli, nuk e fshehu zhgënjimin për eleminimin, por vlerësoi rivalët e qytetit.

Stefano Pioli: Jam trajneri më i zhgënjyer në botë, është e vërtetë që arritëm në gjysmë-finale të Champions League dhe duhet të jemi krenarë për këtë, por është e qartë se kemi ëndërruar për finalen dhe kemi dashur të mposhtnim rivalët tanë. Mosarritja në finale na shkakton zhgënjim, por ne duhet të fokusohemi te kampionati. Zhgënjimi i vërtetë do të ishte mosmarrja pjesë në Champions League sezonin e ardhshëm. Keqardhja me e madhe janë 10 minutat e para të ndeshjes së parë dhe që nuk kemi shënuar në rastet që krijuam. Luajtëm mirë, por nuk ishim në gjendje të ngrinim nivelin tonë sa duhet. Interi na ndëshkoi në tranzicion, ato ishin situata me të cilat duhej t’i përballonim më mirë por nuk ia dolëm./Limit.al