Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje/ Partitë politike THIRRJE qytetarëve: Dilni VOTONI

TIRANË– Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje deri në këto momente ka “detyruar” partitë politike që të bëjnë thirrje për pjesamarrje në zgjedhje. Kështu përmes një deklarate për mediat kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime për të bërë ndryshimin.

Sali BerishaJam sot para jush për të falënderuar përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë të cilët kanë ardhur nga dhjetëra e dhjetëra vende, të kontinenteve të ndryshme për të firmosur sot me votën e tyre ndryshimin. Mirënjohja ndaj tyre është e pakufishme. Së dyti, unë dua të falënderoj përzemërsisht të gjithë ata qytetarë shqiptarë që nga ora 7 e mëngjesit e deri në këtë kohë, janë paraqitur dhe kanë hedhur votën e tyre në kutitë e votimit. Kanë kryer pra një detyrë kushtetuese jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, veten dhe familjen e tyre. Së treti, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar të votojnë, të paraqiten në orët në vazhdim pranë qendrave të tyre dhe të votojnë si një shërbim i jashtëzakonshëm që i bëjnë vendit, vetes dhe familjes së tyre.
Së fundi, garantoj qytetarët se opozita po mbikëqyr me sukses të plotë këtë proces. Ajo sot është më e fuqishme se kurrë. Vota e tyre ka mbrojtjen absolute të opozitës shqiptare. Çdo lloj përpjekje që po bën narkoadministrata, narkoshteti është e destinuar të dështojë, të dështojë dhe vetëm të dështojë. Qytetarëve u them gjithashtu, policia ka marrë pushim sot, por pavarësisht nga kjo, ju votoni si njerëz të lirë. Opozita do të mbrojë dhe po mbikëqyr çdo votë tuajën. Faleminderit!

Ndërsa Partia Socialiste përpos thirrjes për pjesëmarrje në zgjedhje ka “shënjestruar”: dhe Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Sipas ministres Botra Muzhaqi ka qenë mosfunksionimi si duhet i pajisjeve të identifikimit elektronik ajo që ka detyruar qytetarët që të kthehen mbrapsht për në shtëpi.

Bora MuzhaqiPër fat të keq kjo ditë feste e demokracisë nisi me ngërçin absurd të krijuar nga KQZ, me bllokimin e votimit. E pabesueshme që KQZ mos të votonte pajisjet në shumë qendra votimit, por e pabesueshme është dhe hezitimi i pakuptueshëm i KQZ për të zgjidhur këtë ngërç të krijuar nga vetë ajo. Kjo solli largimin e shumë votuesve, KQZ duhet ti kërkojë ndjesë për këtë dështim të sajin në garantimin e procesit të zgjedhjeve. PS i bën thirrje që qytetarët të rikthehen për të votuar sërish.

Ndërkohë sipas përditësimit të fundit të bërë publik nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve deri në orën 14:00 kanë votuar 26.64% e qytetarëve me të drejtë vote. (Kujtojmë se kjo shifer i referohet vetëm qendrave të votimit që kanë raportuar të dhënat e tyre në KQZ)./Limit.al