Real Madrid “mbretëron” në Copa del Rey, mposht Osasunan 2-1, finalja u shoqërua me tensione mes lojtarëve

Reali i Madridit ‘mbretëron’ në Copa del Rey. ‘Los blancos’ triumfuan në finalen e madhe ndaj Osasunas me rezultatin 2-1.
Madrilenët e nisën në mënyrë fantastike sfidën e zhvilluar në ‘Estadio de La Cartuja’ të Sevillas, duke kaluar në avantazh që në minutën e 2-të.
Vinicius Junior me një inkursion fantastik në zonën kundërshtare dha një asist për Rodrygon, i cili nuk gaboi dhe çoi topin në fundin e rrjetës.
Osasuna nuk u dorëzua dhe surprizoi ‘galaktikët’ në minutën e 58-të.
Lucas Torro vendosi baraspeshën e përkohshme.
Kjo finale ishte magjike për Rodrygon i cili realizoi edhe golin e dytë për madrilenët. Braziliani vulosi suksesin për ekipin e tij, me dopietën e shënuar në minutën e 70-të.
Finalja përfundon 2-1 dhe në këtë mënyrë Real Madrid ngre lart trofeun e Kupës së Mbretit, për herë të 20-të në histori.

Me fitimin e këtij trofeu, trajneri madrilenëve, Carlo Ancelotti arrin një tjetër rekord. Italiani bëhet trajneri i katërt në historinë e klubit që fiton dy herë Copa del Rey. Para tij e kanë bërë Migel Munjoz, Luis Molovni dhe Pako Bru.

Por kjo përballje nuk kaloi pa incidente. Gjatë pushimit të pjesës së parë, lojtarët e të dyja skuadrave u përleshën me njëri-tjetrin. Pamjet e publikuara nga dhomat e zhveshjes, tregojnë tensionin mes futbollistëve të të dyja ekipeve. U desh ndërhyrja e drejtuesve të tjerë, për të shmangur një sherr masiv, teksa ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes./Limit.al