Spektakël në “El Classico”, Reali “shkërmoq” Barcelonën në “Camp Nou”

Real Madrid ‘dërrmon’ Barcelonën në ‘Camp Nou’, duke i mposhtur me rezultatin 0-4, në ndeshjen e kthimit gjysmë-finale të Kupës së Mbretit.Madrilenët zhvilluan një ndeshje spektakolare ndaj rivalit të tyre të përjetshëm, duke marrë një rezultat të pabesueshëm, e duke përmbysur humbjen e ndeshjes së parë në ‘Santiago Bernabeu’.

Heroi i takimit për skuadrën e Carlo Ancelottit ishte padyshim Karim Benzema i cili shënoi një tri golësh. Sulmuesi francez rishkroi historinë ku pas 60 vitesh realizon një hat-trick në ‘Camp Nou’ për Realin e Madridit, duke arritur legjendën Puskas.
Galaktikët kaluan në avantazh në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, me anë të brazilianit Vinicius Junior.

Fraksioni i dytë i lojës foli tërësisht për ‘Los Blancos’, të cilët kompletuan pokerin ndaj katalanasve. Benzema shënoi fillimisht në të 50-ën.
8 minuta më vonë, 35-vjeçari realizoi edhe golin e dytë personal, me anë të një 11-metërshi.

Skuadra blaugranase ishte inekzistente në fushën e lojës dhe e pafuqishme për të reaguar, duke pësuar edhe golin e 4-t. Francezi vulosi paraqitjen e tij fenomenale me golin e tretë personal, në minutën e 80.

Në këtë mënyrë madrilenët presin biletën për në finalen e ‘Copa del Rey’, ku i pret Osasuna, që nga ana tjetër kaloi Athletic Bilbao. Finalja e madhe do të luhet më 6 maj./Limit.al