Kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt, banorët e Mirnoradit e dinin se çfarë duhej të bënin: të fillonin të gërmonin.

Qyteti i vogël, i cili ndodhet brenda rrezes së artilerisë së forcave ruse në Ukrainën lindore, rezistoi gjashtë muaj pa ujë në vitin 2014, pasi lufta midis Qeverisë dhe forcave të mbështetura nga Rusia shpërtheu në rajonin e njohur si Donbas.

Banorët më pas kaluan disa javë dimri duke u dridhur nga i ftohti pasi luftimet në fillim të vitit 2015 dëmtuan sistemet e ujit të kaldajave, sipas Denys Tomaz, kreut të departamentit të investimeve dhe inovacionit të qytetit.

Që atëherë, qyteti ka përpiluar plane emergjente, përfshirë punën për të kthyer ujërat nëntokësore që rrjedhin nëpër minierat jofunksionale të qymyrit – në një burim uji të pijshëm.

“Ne e kuptuam që mund të ndodhte përsëri”, tha Tomaz gjatë një bisede telefonike nga Mirnoradi. Qeveria ka shpuar puse në të gjithë qytetin dhe madje ka ndihmuar banorët të gërmojnë puset e tyre.

Derisa qyteti i Mirnoradit deri më tani nuk ka pësuar dëme të konsiderueshme, shumë qytete të tjera të vijës së parë të frontit nuk kanë pasur aq fat.

Sulmet ndaj infrastrukturës së ujit dhe zhvendosja e banorëve që largohen nga shtëpitë e tyre kanë bërë që rreth 13 milionë njerëz në të gjithë Ukrainën të kenë nevojë për ndihmë për sa i përket furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe higjienës, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të publikuar në korrik.

Zonat pa qasje të sigurt në ujë mund të përballen me shpërthime të kolerës, hepatitit, zgjebes dhe sëmundjeve të tjera potencialisht vdekjeprurëse, tha OKB-ja.

Fëmijët janë më së shumti të rrezikuar. Uji i ndotur dhe kushtet josanitare të jetesës janë njëzet herë më shumë shkaktarë të vdekjeve të fëmijëve sesa dhuna në vendet që përjetojnë një konflikt të zgjatur, thuhet në një raport të UNICEF-it të vitit 2019.

Problemet e Ukrainës me ujin kanë qenë më të theksuara në qytetin e Mariupolit të kontrolluar nga Rusia, në bregun e Detit Azov në Donbas dhe Mikolajiv, i cili shtrihet më në perëndim dhe është nën kontrollin e Ukrainës.

 

Sulmi i Rusisë në Mariupol, dikur një qytet me 430.000 banorë, filloi ditën e parë të pushtimit. Më 2 mars, sulmi kishte shkatërruar kanalin kryesor të ujit të pijshëm dhe ujësjellësin kryesor të qytetit.

Gjatë tre muajve dhe kushteve të vështira të rrethimit, të 22 pompat e qytetit u shkatërruan, sipas autoriteteve të qytetit.

Banorët u detyruan të pinin ujin nga shirat dhe të shkatërronin sistemet e ngrohjes për të nxjerrë ujin e tyre për të larë duart, sipas organizatës së të drejtave të njeriut, Human Rights Watch.