Presidentja sllovene Natasha Pirc Musar u ka bërë thirrje palëve politike të tregohen të përgjegjshme pas vendimit të parlamentit për ta hedhur në referendum çështjen e rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe daljen nga NATO-ja.

Të premten deputetët mbështetën idenë e një referendumi këshillues për sa i përket rritjes së buxhetit të mbrojtjes sipas kritereve të aleancës ushtarake pas samitit të 24 qershorit, ku u vendos që pjesëtarët e NATO-s të parashikojnë të paktën 5 për qind të buxhetit të tyre për qëllime ushtarake deri në vitin 2035.

Nisma për referendumin u hodh nga Partia e Majtë, e cila është partnere e koalicionit qeverisës, dhe u mbështet nga opozitarët konservatorë, ndërsa partia Lëvizja për Liri e kryeministrit Robert Golob e votoi kundër. Pasi nuk arriti rezultatin që pritej, vetë z. Golob propozoi një referendum për qëndrimin apo jo në NATO.
“Ka vetëm dy zgjidhje: ose të qëndrojmë në NATO dhe paguajmë për anëtarësimin, ose të largohemi nga aleanca. Të gjitha të tjerat janë mashtrime populiste ndaj qytetarëve të Sllovenisë,” tha z. Golob.
Referendumi është parashikuar për javën tjetër dhe pyetja që do të bëhet është nëse votuesit janë dakord që në vitin 2030 të kalojnë 3 për qind të prodhimit të brendshë bruto për mbrojtjen ose rreth 2,1 miliardë euro.

 

Sllovenia është ndër vendet e pakëta që nuk arritën të shpenzonin as 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen si pjesëtarë të NATO-s, megjithëse qeveria sllovene ka thënë se ky objektiv do të arrihej në fund të vitit 2025.

Kreu i konservatorëve, Janez Jansha, ka thënë se rezultati i referendumit duhet parë edhe si një mbështetje ose refuzim i qeverisë së drejtuar nga z. Golob.

Presidentja Musar ka njoftuar se do të mbajë një takim sqarues me kryeministrin e Sllovenisë, “për të folur hapur rreth asa që po ndodh në të vërtetë prapa skenave”.