Nga:  MAL BERISHA  – Ambasador, historian, perkthyes, analist


Imer Imer Thaçi, një patriot nacionalist i shquar pukjanë, pasi nuk e duroi dot dhunën komuniste, e kaloi kufirin shqiptar dhe u vendos në tokat po- shqiptare, nën Jugosllavi.

Atje ai gjeti po të njëjtën “pritje”: Dhunën e UDB – së Jugosllave e cila pasi e ndoqi dhe e përndoqi, e ekzekutoi bashkë me vëllain e tij Rrustem Thaçi.

Në atë kohë, ai kishte dy djem binjakë, dy vjeçarë, Skënderin dhe Nderimin, të cilët u arrestuan dhe u mbajtën në burg bashkë me nënën e tyre, Bade Elezja, bashkëshorten dhe fëmijët e mitur të xhaxhait. Rasti i Skënderit dhe Nderimit, të burgosur politikë në moshën dy vjeçare është një rast unik në botë.

Trupat e vëllezërve Thaçi, u zhdukën nga UDB – ja dhe nuk u gjetën më kurrë.

Por arti i vërtetë i përjetëson figurat e ndritura të kombit.

Kështu ndodhi edhe me portretin figurë, vaj në kanavacë, të Imer Imer Thaçit, vepër e piktorit tonë shumë të shquar, Bashkim Ahmeti – Izano.

Kjo vepër monumentale iu dorëzua nga autori dhe zonja e tij, Pranvera Ahmeti, në sallën e Hotel Magra – Austria, zotëri Skender Thaci në prani të familjes së tij, të fëmijëve,  nipave dhe mbesave, zonjës dhe fëmijëve të të vëllait Nderimit, dhe dajës së tij Dr. Ahmet Ulaj dhe zonjës së tij Afrimes.

Të gjithë jemi të vdekshëm.

Lum kush len veprën dhe emrin e mirë me të cilin nderohen brezat që vijnë, siç ndodhi mbrëmë në Magra – Austria,  Bernicë – Prishtinë.


MË: 30 PRILL 2022