Greqia do të rrisë pagën minimale nga 1 maji për herë të dytë brenda këtij viti, deklaroi të mërkurën kryeministri Kyriakos Mitsotakis, ndërkohë që rritja e inflacionit po ndikon te të ardhurat e familjeve.

“Rritja globale e inflacionit po dëmton familjet me të ardhura të ulëta. Nga 1 maji, paga bazë do të rritet me 50 euro duke shkuar në 713 euro në muaj,” tha Mitsotakis gjatë një fjalimi.

Qeveria konservatore rriti pagën minimale mujore bruto me rreth 2%, duke e bërë atë 663 euro në muajin janar. Me rritjen e re, paga minimale do të rritet me 9.7%.

Inflacioni në Greqi shkoi në 8.9% në muajin mars, duke arritur nivelin më të lartë në 27 vjet, pasi rritja stratosferike e kostove të energjisë ka prekur të ardhurat e familjeve.

Çmimet e gazit natyror u rritën me 68.3% në bazë vjetore, ndërsa çmimet e energjisë elektrike u rritën me 79.3%.

Mijëra qytetarë dolën në rrugët e Athinës në fillim të këtij muaji për të protestuar kundër asaj që ata thanë se ishte një “krizë e thelluar” e rritjes së çmimeve. Mandati i qeverisë përfundon në vitin 2023.

“Agonia e përbashkët që shoh në fytyrën e gjithësecilit është kostoja e lartë për shkak të krizës ndërkombëtare të energjisë dhe të luftës në Ukrainë: rritja e çmimeve të energjisë elektrike, të benzinës dhe të ushqimeve nëpër supermarkete”, tha Mitsotakis.

Ai pranoi se nivelet e pagave janë “me të vërtetë të ulëta në vendin tonë”.

“Plagët e krizës financiare 10-vjeçare nuk janë shëruar ende dhe tani, rritja e inflacionit globalisht dëmton para së gjithash familjet me të ardhura të ulëta dhe të papunët,” tha Mitsotakis. “Vendimi im sot fokusohet tek ata.”

Qeveria ka shpenzuar rreth 4.0 miliardë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet, bizneset dhe fermerët, të cilët janë përballur me rritjen e faturave të energjisë elektrike dhe të gazit që nga viti i kaluar.

Këtë javë, ajo tha se po përgatit gjithashtu një plan kombëtar për një ndërhyrje “vendimtare” në çmimin e energjisë elektrike për të zbutur ndikimin te konsumatorët, nëse Bashkimi Europian nuk merr masa për këtë problem së shpejti./ Reuters